Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja… tani fillon pjesa e dytë e merkatos

Edhe dy ditë ka në dispozicion tekniku Kulli, për të bërë përzgjedhjen e futbollistët, që i janë nënshtruar provave tek Besëlidhja. Gjatë tre javëve, fusha e stërvitjes ka qenë e mbushur me futbollistë, të cilët kanë përformuar për një vend në skuadër dhe madje disa prej tyre, për të qenë pjesë e grupit që do të federohet. Sidoqoftë ata janë shumë - është shprehur kryepankina lezhjane - dhe disa prej tyre duhet të largohen. Ndërkaq, Kulli ka vërejtur se ky vit ka qenë krejt i veçantë, lidhur me cilësinë e të rinjëve që janë paraqitur për provë. Një pjesë e mirë e tyre kanë treguar vlera dhe ai gjykon se duhet të jenë në qendër të vëmendjes, ndërsa është i ndërgjegjshëm, se ata nuk mund të bëjnë shumicën e skuadrës që është duke projektuar. 

“Është e vërtetë që ne, së bashku me presidentin Noka, po kërkojmë të formatojmë një skuadër me moshë realivisht të re, por futbollistët nuk mund të jenë krejt fillestarë, sado talentë që të jenë”. Megjithatë, për ata të kalibrit të tillë, presidenti Noka është shprehur qartë, se do të mbahen si futbollistë, që skuadrës do t’i shërbejnë për më vonë. E thënë shkurt, mendimi i teknikëve lezhjanë është, që nga ky kontigjent të mos lejohen rrjedhje, pasi mund të vlejnë në të ardhmen. Dhe kujdesi është në shkallën më të lartë. 

Koha e gjatë e provës së futbollistëve ka shërbyer për njohje të thellë të tyre dhe është krejt normale, që mendimi i teknikëve ka ndryshuar. Madje e veçanta e këtij viti është, se nuk po i besohet shumë emrave. Rasti i Perfatit, i cili njihet, por që prej stafit teknik të Besëlidhjes iu kërkua të vihet në provë për disa dite do të thotë, që lezhjanët kanë hequr dorë nga emrat dhe mendjen e kanë tek futbollistët që vrapojnë e kanë shpirt të lartë gare. Më shumë se askush, këtë kërkesë e ka bërë normative presidenti Noka, i zhgënjyer nga ata që i ka etiketuar vitin që shkoi si “gjeneralë”. Por sido që kërkesat janë për një skuadër të re, në rradhët e lezhjanëve, bërthana përbëhet nga futbollistë të rinj, por që nuk i mungon eksperienca.

Duke filluar nga porta; Xhika është për t’u patur zili nga shumë skuadra, ndërsa reparti i mbrojtjes përbëhet nga futbollistë me shumë përvojë, si Gruda, Stojkoviç, Shytani dhe Peqini. Edhe i reparti i mesfushës mund të konsiderohet i tillë. Pepa, Jacaj, Trajkoviç, Malasi, Buraku etj, kanë formuar një grup simpatik, që mund të kryejnë mjaft mirë detyrat. Gradualisht po merr formë edhe reparti i avancuar. Që dje, sulmuesi shkodran Kraja ka filluar rregullisht përgatitjet me skuadrën.

Tani vetëm futbollistë Superlige
Në vijim të premtimit për të patur një skuadër konkuruese, presidenti Noka nuk ka të ndalur. “Do të formojë një skuadër shumë të mirë dhe të gjithë do të kënaqeni. Kjo që kemi bërë deri tani është vetëm fillimi. Përveç repartit të mbrojtjes, që mendoj se është kompletuar, me repartet tjera kemi sërish punë. Do të sjellim futbollistë tjerë, madje ata do të jenë të një niveli më të lartë”, është shprehur për “Sport Ekspres” presidenti lezhjan, Gjokë Noka. Kompletimi me lojtarë të tillë, për Nokën është vetëm çështje ditësh, pasi javën që vjen starton faza përgatitore, me të gjithë futbollistët që i duhen skuadrës së Kullit.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top