Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Disa serbë për të rregulluar skuadrën e Nokës

Për skuadrën lezhjane, duket se gjithçka po funksionon mirë. Duke filluar nga kushtet për stërvitje, që janë vërtetë për t’u admiruar dhe deri tek serioziteti i stafit drejtues teknik, nën praninë e shumë tifozëve lezhjanë, po bëhet ajo që në pak vite është bërë. Pavarësisht se për dy javë u provuan vetëm të rinjtë, puna e bërë gjatë kësaj periudhe, sipas presidentit Noka dhe teknikut Kulli ja ka vlejtur shumë. Në mes të rreth 40 futbollistëve të rinj të ardhur nga Lezha kryesisht, por dhe Shkodra e Tirana, një pjesë e të cilëve kanë mbaruar shkollën e mesme sportive, disa janë piketuar për t’u mbajtur, pasi janë vlerësuar nga teknikët lezhjanë si elementë të prespektivës. Në ndryshim nga më parë, këta të rinj do të nënshkruajnë për Besëlidhjen të paktën dy vjet: “Do t’i mbajmë të paktën dy vjet si pjesë të skuadrës, për të vendosur më pas se çdo të bëhet me ta, nëse ata justifikojnë me përformancën e tyre, jetëgjatësia e këtyre në skuadër do të jetë më e madhe”, ka thënë presidenti Noka. Dje ka përfunduar afati i vëzhgimit të të rinjve dhe një pjesë e tyre janë larguar, por jo të gjithë, një pjesë e tyre do të qëndrojnë për provë edhe për një javë.

Merkato - Ndërkohë vazhdojnë prurjet edhe nga rradhët e futbollistëve me eksperiencë. Veç Shytanit, Dibrës e Peqinit, tekniku Kulli ka dy ditë që po provon edhe mesfushorin shkodran Jaca, i cili e mbylli sezonin me skuadrën pukjane. Ndërsa dje janë parë duke beseduar me presidentin Noka, ish-futbollisti i Adës, Pepa dhe ai i Bylisit, Malasi. Sidoqoftë, presidenti Noka është mjaft i qetë dhe i duruar, ndërsa kërkon t’i japë mundësinë për provë çdo futbollisti që adresohet tek skuadra e tij. “Ne deri tani nuk kemi refuzuar asnjë futbollist që ka kërkuar të kontribuojë për Besëlidhjen. Madje unë i kam falenderuar dhe i falenderoj të gjithë ata, që vlerësojnë Besëlidhjen si skuadër. Ndërsa nga ana tjetër, ne nuk do të ngutemi në marrjen e vendimeve për përzgjedhjen e futbollistëve. Unë kam thënë, që ne do të krijojmë një skuadër të re, me futbollistë të perspektivës, por me objektiva të larta. Prandaj dhe përzgjedhja jonë do të jetë shumë e kujdesshme”, ka vazhduar Noka. 

Ndërkaq, ditën e hënë, pritet që skuadra të plotësohet në një grup të konsiderueshëm futbollistësh. Pritet të mbërrijnë dhe futbollistët serbë, për të cilët thuhet se janë shumë cilësorë. Flitet që do të jenë pesë të tillë dhe duke gjetur Xhikën, Grudën, Shytin, Burakun, Linin, Pjetrushin dhe Mazinë, në një përqindje të madhe skuadra mund të konsiderohet e formuar. Këtë mendim e ka dhe tekniku Kulli, i cili merakun e ka në gjetjen e një mesfushori organizator, por dhe të ndonjë sulmuesi rrace teksa repartin e prapavijës me Stojkoviç, Peqinin, Shytanin, Shytin e quan të kompletuar.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top