Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Gruda: Tek Besëlidhja, jo të gjithë titullarët nuk vlejnë

Ndër të paktët e mbetur në skuadër nga titullarët e vjetshëm është mesfushori i majtë Mirsad Gruda. Këtë futbollist, i cili një vit më parë u paraqit mjaft mirë me Besëlidhjen, presidenti Noka e ka konsideruar sërish të vlefshëm dhe i ka besuar sërish një uniformë, ndërsa dhe dëshira e tij ka qenë që t’i shërbejë skuadrës lezhjane. Gruda, një pinjoll i familjes shkodrane, ka pasur lidhje të afërta me futbollin është disi specifik dhe ndoshta kjo ka bërë, që edhe drejtuesit e futbollit lezhjanë ta mbajnë si një trashëgimtar të titullarëve. i formuar në shkollën lezhjane të futbollit, Gruda ka luajtur për ngjyrat e qytetit verior të të gjitha moshave, derisa ai është përfshirë në skuadrën e të rriturve, duke qenë pjesë e formacionit madje edhe atëhere kur Besëlidhja luante në elitën e futbollit shqiptar. Pjekuria e tij si futbollist dhe rritja vit pas viti kanë bërë, që këtij futbollisti t’i besohen detyra të vështira në skuadër, ku më kryesoret kanë qenë ato të mbrojtësit të majtë, apo të mesfushorit të këtij krahu. Sidoqoftë, e veçanta e tij është ekzekutimi i saktë i goditjeve të dënimit, në afërsi të zonave kundërshtare. Me goditje të tilla ai ka shënuar disa herë për lezhjanët, duke i dhënë madje edhe pikë shumë të rëndësishme.

Kurse qartësia taktike e tij në lojë është çmuar si një cilësi që i ka vlejtur shumë skuadrës. Falë veprimeve të tij të zgjuara, skuadra lezhjane hera-herës ka qenë e suksesshme, sidomos në manovrën e saj sulmuese. Edhe pse në ndonjë periudhë të kampionatit ai ka qenë i dëmtuar, kërkesa dhe puna e tij për t’u rikuperuar kanë qenë vërtetë të admirueshme. Ndërsa këto ditë, ai është në krye të grupit që stërvitet dhe ka besim se presidenti Noka ka filluar një punë shumë të mirë, për të krijuar një skuadër konkurente. Ai së bashku me Xhikën udhëheqin grupin e madh, në të cilin përfshihen edhe futbollistë të rinj, por asnjëherë nuk tolerojnë. 

“Kemi filluar një punë shumë të mirë, ku krahas përzgjedhjes, ne kemi dy javë që stërvitemi dhe gradualisht ngarkesa që po marrim po rritet”. Kurse lidhur me merkaton që po kryhet, Gruda ka vlerësuar punën e deritanishme të drejtuesve të futbollit lezhjanë dhe beson se në ditët në vijim, skuadra do të ketë në gjirin e saj futbollistë shumë cilësorë. “I ndodhur disa herë pranë drejtuesve kam dëgjuar të flitet për kandidaturat që mendohet të sjellin. Të jeni të bindur që janë emra të njohur të futbollit shqiptar dhe ardhja e tyre në skuadrën tonë ka për ta rritur nivelin dhe forcën e saj”, ka përfunduar Gruda.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top