Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Lezhjanët kthejnë mendje, përfundon dashuria për sllavët

Besëlidhja ka përfunduar javën e katërt të përgatitjve për edicionin e ri dhe tani pret që t’i përvishet një pune shumë më intensive, për t’u përgatitur sa më mirë, për kampionatin e ri që po afron. Periudha e deritanishme ka shërbyer për të plotësuar skuadrën, madje për të ndërtuar një ekip pothuajse të ri, të cilit shumë pak i ka mbetur nga viti i kaluar. Katër javët kanë shërbyer për të provuar e për të përzgjedhur elementin, ndërsa mendohet se është bërë një punë e mirë gjatë seleksionimit, në mes dhjetra futbollistësh që u provuan. Skuadra tani është në pikun e përgatitjeve dhe gjithçka duket se shkon mirë. Drejtuesit e skuadrës kanë pohuar, se pjesa më e rëndësishme e punës në skuadër fillon nga dita e hënë.

Largimet - Pas pothuajse një javë stërvitje, dy prej futbollistëve të huaj, mesfushori Mario Gavriloviç dhe sulmuesi malazez Boshkoviç, duket se me paraqitjen e tyre nuk i kanë bindur lezhjanët për të qëndruar, sado që ata erdhën në Lezhë me një emër të mirë. Për këtë arsye, ata janë kthyer mbrapsht, pra që dje janë larguar nga Lezha. Mendohej ndryshe për ta, kur këta futbollistë ishin pa ardhur. Për ta u fol shumë dhe u mendua se me ardhjen e tyre do të zgjidheshin mjaft probleme të plotësimit të skuadrës, por vlerësimi nuk ka qenë pozitiv dhe prandaj është vendosur për të mos shpenzuar për mbatjen e tyre. Mirëpo tani lezhjanëve, sipas pohimeve te drejtuesve të skuadrës, do t’u duhet të jenë në merkato deri në gjetjen e të paktën dy futbollistëve, për repartet ofensive. Për skuadrën lezhjane, emergjente është gjetja e një sulmuesi, pavarësisht se Dibra ka qenë përforcimi i këtij reparti, ndërsa janë larguar të gjithë sulmuesit e vitit shkuar.

Grumbullimi - Ditën e hënë, skuadra do të grumbullohet dhe stërvitja do të fillojë me nga dy seanca në ditë. Futbollistët do të akomodohen në një nga hotelet e qytetit, për të qenë të gatshëm për fazën përgatitore. Sipas drejtuesve të skuadrës, kjo do të zgjasë rreth dy javë dhe përgatitja do të realizohet në plazhet e Lezhës dhe ambientet sportive të qytetit.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top