Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Mbetet akoma i pa kompletuar reparti i sulmit te Besëlidhja

Puna për formimin e skuadrës lezhjane, pothuajse është në përfundim. Me prurjet e reja të merkatos, ekipi është drejt formimit dhe tani nuk ka mbetur gjë tjetër, veçse të fillohet nga përgatitjet intensive. Porta dhe mbrojtja, tani mund të konsiderohen të plotësuara numerikisht dhe cilësisht. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit dhe të skuadrës e kanë “ndaluar gjuetinë” për futbollistë të repartit difensiv, teksa për mesfushën, mund të pranojnë ndonjë futbollist më cilësor, se ata që aktualisht janë pjesë e Besëlidhjes së re. Mesfushori serb Vojsllav Trajkoviç, me paraqitjen e tij po i mahnit lezhjanët. Një futbollist që luan me të dyja këmbët, mjaft i fuqishëm, teknik e shpërthyes, nuk ka si të mos evidentohet, kur shfaqet edhe si mjeshtër i pasit të fundit, madje dhe si golshënues. 

Përkrah tij është shkodrani Pepa, me një përvojë mjaft të vlefshme. Me Trajkoviç kanë formuar një dyshe mjaft simpatike, që skuadrës lezhjane ka kohë që i mungon. Ndërsa Jacaj e Zhivkoviç kanë mbështetur veprimet e këtij reparti, duke kryer detyra më mbrojtëse. Megjithatë, presidenti Noka mendon, që këtë repart ta blindojë, duke e konsideruar atë si më të rëndësishmin dhe për faktin se skuadra e tij, vjet ka çaluar pikërisht këtu. Prandaj edhe një futbollist tjetër serb me mjaft përvojë pritet të vijë nesër. Sipas informacioneve mësohet, se ai luan në krahun e djathtë dhe është mjaft i kompletuar. Ndoshta pritet ai, që më pas të vendoset për Zhivkoviç, nëse do të qëndrojë apo jo.

Natyrisht që për këtë repart Kulli ka në dispozicion edhe futbollistë të rinj, plotësues mjaft të mirë, duke dhënë kështu garanci, se ky do të jetë reparti më i mirë i skuadrës. Ndërsa për sulmin nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Aktualisht futbollistë të rreshtuar në vijën e parë janë sulmuesi shkodranë Dibra, që sezonin e kaluar ka luajtur me Tërbunin dhe është duke u provuar ish-sulmuesi i skuadrës gramshiote, Rrustemi. Kjo dyshe po testohet në vend të sulmuesve Gega dhe Maho, të cilët vjet janë shfaqur si golashënuesit më të mirë të skuadrës. 

Zgidhja për këtë repart bëhet disi urgjente, aq më tepër kur qëndron pezull edhe problemi i të riut Jurgen Kulli, i cili shpesh ka qenë pjesë e suksesit në sezonin e shkuar, por që këtë vit ai do të jetë student i vitit të parë. Megjithatë, burime nga klubi bëjnë të ditur, se edhe për këtë është duke u menduar dhe zgjidhja do të jetë e shpejtë. Deri tani është zyrtarizuar vetëm Dibra, i cili ka nënshkruar, ndërsa plotësimi i sulmit, sipas presidentit Noka mund të bëhet nesër, me një futbollist të aftë të bëj diferencën.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top