Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Me afrimet e fundit Besëlidhja fillon të marrë formë

Pavarësisht se nuk ka shumë kohë që kanë filluar provat e testimet, stafi teknik i Besëlidhjes ka dhënë mendimet për futbollistë, që janë konsideruar si të vlefshëm për skuadrën, e cila është duke u formatuar. Presidentit Noka i janë propozuar deri tani tre futbollistë të ardhur rishtas, të etiketuar se “e kalojnë klasën” për të qenë ndër titullarët e Besëlidhjes së sezonit të ri. Konkretisht Peqini dhe shkodranët Pepa e Arbër Shytani kanë marrë “ok-un” nga tekniku Kulli për të qenë pjesë e skuadrës së tij. Madje ai i ka propozuar presidentit Noka, që, pasi të shqyrtojë kërkesat e tyre dhe mundësitë e tij financiare, të nënshkruajë me ta. Dhe kjo është bërë realitet që dje, ku të tre futbollistët në fjalë kanë firmosur për Besëlidhjen për një sezon futbollistik. Këto janë tre futbollistët e ri zyrtarë të Besëlidhjes, ndërsa Xhika, Stojkoviç e Gruda kanë një kontratë më shumë se njëvjeçare. 

Ndërkaq, zyrtarizimi për Besëlidhjen i futbollistëve të tjerë, që po provohen, do të vazhdojë dhe pothuajse deri në fundin e javës tjetër. Por kjo nuk do të thotë se merkatoja verore do të përfundojë për skuadrën lezhjane, përkundrazi drejtuesit e saj kanë pohuar se do të ketë të papritura deri afatet e fundit. Edhe pse është relativisht herët, duket se skuadrës i është “ndërtuar boshti”. Tashmë porta është e garantuar me Xhikën e Danajn, ndërsa reparti i prapavijës me Stojkoviç, Peqinin, Shytin, Shytanin, Grudën, por dhe me të rinjtë Methasani e Çeka, mund të quhet një kapitull i mbyllur.  Afër plotësimit përfundimtar mund të konsiderohet edhe reparti i mesit të fushës, i cili ka në përbërje Pepën, Jacajn, Trajkoviç e shtatlartin Buraku. Ndërsa për këtë repart, veç alternativave si Halili e Lini, do të sillet edhe një mesfushor tjetër, që siç është pohuar edhe ai do të jetë një serb me mjaft eksperiencë. Me ardhjen e tij javën tjetër edhe ky repart i skuadrës lezhjane do të marrë formën e duhur. 

Disi më ndryshe qëndron puna me repartin mësymës. Deri tani, vetëm shkodrani Dibra është deklaruar se do të jetë pjesë e këtij reparti, ndërsa futbollistë të tjerë, që luajnë përpara, janë të paktë. Të rinjtë janë mjaft premtues, por që aktualisht nuk mund të marrin një barrë të tillë përsipër. Presidenti Noka, lidhur me këtë repart, ka premtuar dhe është i sigurtë se do të sjellë futbollistë të atij rangu, që do të klasifikohen si më të mirët e Besëlidhjes.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top