Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Në Lezhë kanë mbetur vetëm të rinjtë!

Ndryshe nga ç’pritej, edhe dje të rinjtë kanë qenë mbizotërues në stërvitjen e drejtuar nga Ritvan Kulli, i cili në këto ditë të para po kryen vetëm detyrën e përzgjedhësit në atë mori të rinjsh që me zell i janë vënë në dispozicion. Në këto seanca të këtyre ditëve kanë dominuar lojrat, të cilat i kanë shërbyer Kullit për të krijuar një ide për vlerat e çdo të riu që është vënë në provë për të zënë vend te skuadra lezhjane. Madje ata kanë qenë të shumtë sa që zv/trajnerit Zenuni i është dashur hera-herës të kryejë zëvendësime për t’u dhënë mundësinë e të luajturit të gjithëve. Për lezhjanët dita e hënë ka qenë një ditë krejtësisht e zakonshme pavarësisht se shumë tifozë ishin të pranishëm për të mësuar se cilat ishin prurjet, të cilat ishin premtuar se do të vinin. Megjithatë, nga drejtuesit e skuadrës dhe presidenti Noka ka pasur një përqendrim të jashtëzakonshëm në vëzhgimin e të rinjve, të cilët duket se po testohen më mirë se asnjë vit tjetër. Veç lojës ata po i nënshtrohen edhe disa testeve fizike të cilat janë drejtuar me kompetencë nga specialisti i njohur i atletikës Pjetër Lesi. Këto teste po zhvillohen për të gjithë të rinjtë e pranishëm dhe siç shprehet Lesi treguesit e tyre do të përbëjnë edhe një kriter të rëndësishëm për përzgjedhjen e tyre. Ndërsa të rinjtë e shumtë kanë luajtur e janë testuar fizikisht, gardiani Xhika dhe mesfushori Gruda, të vetmit e mbetur nga titullarët e vjetshëm, kanë zhvilluar stërvitje të veçuar e cila është reduktuar vetëm në vrapime.

Klubi SH.A. - Duket se një pengesë jo e vogël për të ecur më shpejt në drejtim të formimit të skuadrës është zbatimi i kriterit të FSHF-së për kthimin e klubeve të futbollit në Shoqëri Aksionere. Pavarësisht se ky fakt nuk pohohet, dihet që klubi lezhjan nuk është i tillë. Ndërsa kërkesa është e prerë. Aktualisht klubi lezhjan ka një president legjitim dhe një sponsor që është Bashkia e qytetit. Ndërkohë në Lezhë ka një opinion të përpunuar që klubi të kthehet në Sh.A. madje burime nga Bashkia e qytetit bëjnë me dije se ky kthim është vetëm çështje kohe. Ndërsa nuk është konstituar ende Këshilli Bashkiak i qytetit pritet që në mbledhjen e parë ky problem të trajtohet. Thuhet se nga ana e Bashkisë janë marrë të gjitha masat për gjetjen e aksionerëve dhe krijimin e kësaj shoqërie për mbarëvajtjen e futbollit në qytetin e Lezhës.

Pjetrushi - Ndërsa vazhdojnë të vijnë të rinj, madje dhe nga qyteti i Shkodrës, ka një tendencë për t’u larguar nga skuadra lezhjane e futbollistëve të vjetër. Dje është konkretizuar edhe largimi i Klodian Pjetrushit. Ky i fundit duket se ka vendosur që edhe këtë sezon të luajë sërish me skuadrën kuksiane. Pjetrushi së bashku me dy vëllezërit Haxhia ishin transferuar në Kukës vjet në fazën e dytë, madje kanë qenë protagonistët e ngjitjes së kuksianëve në Kategorinë e Parë dhe siç duket kanë mbetur mjaft të kënaqur nga vlerësimi që u është bërë atje. Pjetrushi javën që kaloi është stërvitur në Lezhë, por siç mësohet oferta kuksiane e ka joshur atë që të lerë për të dytën herë skuadrën e Besëlidhjes. Ndërkohë, qarkullojnë zëra se edhe disa të rinj të tjerë, ndoshta më të vlefshmit, presin të bëjnë të njëjtin veprim në kërkim të një oferte më të mirë nga skuadrat e tjera.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top