Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Presidenti Noka: Dëgjoni këngën time

Presidenti i skuadrës lezhjane, Gjokë Noka, në një takim me mediat lokale edhe një herë ka pohuar, se po ndërton një skuadër shumë më të mirë se ajo e vitit të kaluar. “Të jeni të bindur, se skuadra që po  ndërtojmë do të jetë shumë më rezultative se ajo e vjetshmja. Do të shihni për një edicion të tërë një skuadër punëtore, të cilës rezultati do t’i vijë vetëm nga thjeshtësia e ndershmëria në lojë”, ka pohuar Noka. Në fakt, Besëlidhja po ndërtohet krejtësisht e re. Nga të vjetshmit janë vetëm tre, ndërsa të tjerët janë të rinj, si dhe luajnë për herë të parë me skuadrën lezhjane. Ndërkohë që presidenti lezhjan, skuadrën e sivjetshme e ka vlerësuar si më të mirë se ajo e sezonit të kaluar. Deri tani janë afruar tek Besëlidhja Peqini e Shytani në mbrojtje, Pepa e Trajkoviç në mesfushë dhe Dibra në repartin e sulmit, i cili për disa angazhime të tij, ende nuk ka filluar rregullisht stërvitjen me skuadrën. Presidenti Noka ka theksuar, se krahas vështirësive që paraqiten në krijimin e skuadrës së re, riformatimi i saj është në rrugë të mbarë dhe shpejt ky proçes do të përfundojë.

Të rinjtë - Prania e të rinjve në stërvitje, në skuadrën lezhjane ka qenë mjaft evidente. Vazhdon sërish një fluks i madh nga ekipet e moshave për t’u provuar dhe siç duket gadishmëria e drejtuesve të fubollit lezhjanë për t’i pritur ka qenë faktor nxitës. Sidoqoftë është fakt, se për vlerësimin e të rinjve ka pasur një qetësi e maturi të admirueshme. Drejtuesit teknik u kanë dhënë kohën e mjaftueshme të gjithëve, për të demonstruar vlerat pozitive të tyre. Ndërsa një javë më parë janë larguar disa, sot pritet një seleksinim, që fatkeqësisht do t’u mohojë të drejtën për t’u stërvitur tek Besëlidhja rreth 10 futbollistëve të rinj. 

Sidoqoftë, nga “shtrydhja” që i është bërë të ardhurve, presidenti Noka mendon se nuk ka dalë i humbur. Stafi teknik ka evidentuar tre futbollistë, dy prej të cilëve janë lezhjanë (të ardhur nga shkollat sportive), si elementë të prespektivës, të cilët do të startojnë këtë vit me Besëlidhjen. Nisur nga cilësitë e tyre, presidenti Noka ka pohuar se me këta futbollistë është gati të nënshkruajë një kontratë jo më pak se tre-vjeçare. Nga futbollistët në fjalë, dy janë mbrojtës dhe një tjetër luan në repartin e mesfushës.

Serbët - Dy prej tyre po stërviten nën komandën e teknikut Kulli me Besëlidhjen, ndërsa mësohet se priten të tjerë. Këtë e ka konfirmuar presidenti Noka, i cili ka pohuar se bashkëatdhetarë të tjerë të Stojkoviç e Trajkoviç do të bashkohen së shpejti me skuadrën. Nuk janë përmendur emra, por nga biseda e presidentit Noka është lënë të kuptohet, se futbollistët që do të vijnë nga andej do të jenë të reparteve të avancuara, pra të mesfushës dhe të sulmit. Noka ka veçuar vetëm faktin, se ata janë lojtarë cilësorë, madje dhe të Kategorisë Superiore në Serbi.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top