Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Trajkoviç, mesfushori serb që po çudit tifozerinë lezhjane

Serbi Vojsllav Trajkoviç është një ndër prurjet më cilësorë të deritanishme tek Besëlidhja. Një futbollist, i cili erdhi pa shumë bujë dhe me një skedë jo shumë të pasur, që në ditët e para të mbërritjes në Lezhë ka treguar, se vërtetë mund të konsiderohet si gjetja e këtij viti e lezhjanëve. Trajkoviç luan ne repartin e mesfushës dhe është një organizator shumë i mirë. Falë punës që bën për t’u stërvitur dhe asaj që tregon në fushën e stërvitjes, Trajoviç nuk e ka patur të vështirë, që pa filluar kampionati, të bëhet lidër në skuadër. Në testet e kontrollit që zhvillohen, ky futbollist kërkon me insistim që skuadra e tij të paraqitet më mirë se kundërshtari dhe të fitojë. Të gjithë e kanë vrejtur, kur ai mbledh shokët e repartit, për t’u dhënë udhëzime, madje edhe reagon ashpër kur skuadra gabon.

Tashmë loja e tij me mesfushorin tjetër, shkodranin Pepa, duket se shkon mrekullisht. Në natyrën e tij ka lojën kolektive, seriozitetin dhe këmbënguljen, për kryer çdo detyrë që i ngarkohet. Madje lidhur me këtë, ai nuk i ka thënë jo as rolit të sulmuesit, sa herë që i është kërkuar dhe ia ka dalë mjaft mirë. Tashmë është një futbollist i Besëlidhjes, madje për një periudhë 2 vjeçare. Trajoviç ka nënshkruar me klubin lezhjan dhe ashtu si dhe bashkëatdhetari i tij, Stojkoviç, është i kënaqur me kushtet dhe vlerësimin që po i bëhet në qytetin verior. Ndërkohë, pritet që sot të vinë në Lezhë edhe dy serbë të tjerë, futbollistë me përvojë, njëri në repartin e mesfushës dhe tjetri në atë të sulmit. Me ardhjen e tyre, siç shprehen drejtuesit e skuadrës, plotësohen nevojat e skuadrës mbi 90%. Ata ka gjasa, që të vinë për të qëndruar tek skuadra lezhjane, pasi eksperienca e tyre e paraqitur në DVD ka bindur paraprakisht drejtuesit e futbollit lezhjan.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top