Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Xhika, tashmë një dashuri lezhjane!

Tiranasi Dashamir Xhika, për të dytin sezon rradhazi do të mbrojë katërkëndorin lezhjan. Në fakt, fanellën me numrin 1 të Besëlidhjes ai e ka pasur të premtuar nga presidenti Noka, që në përfundim të kampionatit që u mbyll. Që atëherë, pas përfundimit të kontratës një vjeçare me lezhjanët ka marrë ofertë nga titullari i klubit, të cilën e ka pranuar pa bërë diskutime të gjata. Tani pritet vetëm nënshkrimi formal i kontratës me lezhjanët, që ta konfirmojë atë edhe zyrtarisht, si titullarin e portës lezhjane. Xhika ka mbërritur tek Besëlidhja në fazën e dytë të kampionatit të shkuar, duke lënë skuadrën e Partizanit dhe ka justifikuar plotësisht me performancën gjatë fazës së dytë, ku edhe për meritë të tij, Besëlidhja iu afrua shumë ngjitjes në Superligë. 

Portieri Xhika, gjatë aktivizimit të tij me Besëlidhjen ka treguar mjaft vlera në mbrojtje të portës dhe për fazën e dytë ai mban rekord në numrin e golave të pësuar. Në shumë ndeshje porta e tij ka qëndruar e paprekur, ndërsa asnjëherë, edhe kur reparti mbrojtës para tij ka qenë në ditë të keqe, ka ditur të reagojë. Duket se të gjitha këto e kanë shtyrë presidentin Noka dhe stafin teknik, që sërish t’i ofrojë vendin e titullarit portjerit kryeqytetas. Madje edhe tifozeria lezhjane e ka përshëndetur gjatë atë, në seancën e parë stërvitore, kur bashkë me skuadrën është bashkuar edhe Xhika. 

Ndërkohë, pritja dhe respekti i lezhjanëve ndaj gardianit ka krijuar emocione edhe tek futbollisti, i cili nuk ka mundur t’i fshehë ato. “Vitin që shkoi unë kam kaluar një periudhë shumë të mirë në skuadrën e Besëlidhjes dhe jam ndjerë mjaft i respektuar prej lezhjanëve. U përpoqëm të ngjitemi në Superiore, por siç duket reagimi ynë duhet të kishte filluar më shpejt. Mendoj se Besëlidhjes do t’i kishin mjaftuar për t’u ngjitur në Superiore vetëm një pjesë e pikëve të lëna në fushën e saj”, ka thënë Xhika. Por megjithëse mundësitë e ngjitjes në Superligë për këtë vit janë më të vogla, gardiani i zyrtarizuar lezhjan beson në skuadrën që do të formohet. 

“Po ndjek me interes atë çka drejtuesit e klubit e të skuadrës po bëjnë për formimin e skuadrës dhe gjithçka deri tani duket se është në rrugë të mbarë. Janë provuar të rinj, prej të cilëve ka elementë dinjitoz dhe që mund t’i vlejnë skuadrës, por më shumë besoj e shpresoj tek ajo çfarë do të bëhet në ditët në vazhdim. Me ç’kam mësuar, ne presim futbollistë nga të gjitha drejtimet dhe mundësia për të krijuar një skuadër të fortë tashmë është reale”, përfundon Xhika. Ndërsa vetë ai, nën drejtimin e zv/trajnerit Gledis Zenuni, i është nënshtruar një proçesi stërvitor të fortë, së bashku me të rinjtë Danaj dhe Hila.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top