Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja mbyll javën e parë stërvitore me 30 futbollistë

Pas 4 javësh seleksionim të kujdesshëm me “lenten” e specialistit, grupi i përzgjedhur nga stafi teknik dhe presidenti Noka mbyll sot javën e parë të procesit stërvitor të programuar. Kanë qenë 6 ditë punë intensive me ngarkesa të plota fizike dhe tekniko-taktike. Por, krahas procesit stërvitor, është zhvilluar në mesjavë edhe një ndeshje kontrolli, ku synimi ka qenë vëzhgimi i disa futbollistëve, të cilët ende nuk janë vlerësuar për të qenë apo jo pjesë e Besëlidhjes, si dhe për të perzgjedhur titullarët dhe konkurrentët e tyre për çdo post në skuadër. Megjithatë, deri sot janë 30 futbollistë, që nën drejtimin e trajnerit Kulli po përgatiten për sezonin e ri.

Çështja “Çeka” – Çdo ditë sheh shumë dashamirës të futbollit lezhjan, që ndjekin nga afër stërvitjen e skuadrës së zemrës. Ata janë aq të mirinformuar për futbollistët që mendohet të veshin fanellën e titullarit sa disa, kur panë se në rreshtin e futbollistëve mungonte një djalë i gjatë, i cili kishte tri javë që stërvitej dhe kishte marrë notë kaluese, pyesnin njëri-tjetrin: Ku është ai djali i gjatë, që ka ardhë nga Tirana, se dukej futbollist që premtonte? Dhe përgjigjen e kanë marrë nga presidenti Gjokë Noka, i cili me qetësi i ka sqaruar: “Ai djali që pyesni ju, është Andi Çeka dhe e kemi marrë me marrëveshjen e pëlqimin e stafit të Tiranës në formë huazimi për tre vjet.

Por dje, në mënyrë të beftë, informohem se është larguar për në Pukë. Është një veprim i gabuar i futbollistit dhe i atyre që e kanë joshur dhe afruar te Tërbuni, pasi ai është i huazuar tek ne dhe nuk mund të bëhet pjesë e asnjë ekipi tjetër. Ne disponojmë dokumentacionin e huazimit të tij. Më vjen keq, sepse është djalë i ri dhe sapo ka filluar të ngjisë shkallët e para të cilësisë në futboll, por ne jemi kunder kësaj lëvizjeje. Them që është një zgjedhje e gabuar e Çekës dhe e atyre që e kanë afruar në ekip.”

Gati federimet – Ndërkohë, futbollistët me uniforma të rregullta, me disiplinë dhe përkushtim maksimal, kryejnë ushtrimet e servirura nga trajneri. Kështu, tek e ndjek të plotë një seancë stërvitore, bindesh se Besëlidhja është e angazhuar maksimalisht për të qenë një skuadër predendente për t’u ngjitur në superligë vitin e ardhshëm. Stafi administrativ po bën gati edhe dokumentacionin e federimeve për futbollistët, të cilët mendohet të përballojnë kampionatin e ri.

I pyetur për këtë nxitim në plotësimin e dekumentacionit dhe paraqitjen e tij sa më shpejt në FSHF, drejtori teknik, Pjetër Lesi, për “Sportin shqiptar” përgjigjet: “Është një kerkesë, që duhet plotësuar, pasi çdo vit kemi qenë korrektë me federimet dhe të tillë do të jemi dhe sivjet. Por ka edhe një arsye tjetër. Duhen federuar, pasi ka ndonjë që ndryshon mendim, duke u joshur nga dikush tjetër dhe largohen në ditën më të keqe për ne.”

Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top