Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja, presidenti Gjokë Noka mban premtimet

Besëlidhja e re po merr formën e duhur, falë angazhimit maksimal të presidenti Gjokë Noka, i cili kërkon të jetë korrekt dhe të mos i lërë asgjë mangët ekipit të tij. Ai tashmë ka realizuar edhe premtimet e tij, që kishin të bënin me kompletimin e Besëlidhjes me lojtarët e duhur, me anën financiare, atë të dokumentacionit etj. Nisur nga përvoja e sezonit të kaluar, në fund të të cilit lezhjanët nuk mund të merrnin një “biletë” superlige, pasi u mundën në ndeshjen shtesë nga Dinamo, numri 1 i ekipit ka zgjedhur një tjetër strategji. Bashkë me trajnerin Kulli dhe drejtuesit e tjerë, presidenti Noka po përpiqet të krijojë një ekip solid, me djem të rinj e të përkushtuar për të arritur sukses, ndërkohë që në aspektin financiar është gjithçka e garantuar.

Premtimi i parë – Ishte premtuar nga ana e presidentit Noka se te Besëlidhja do të vijë një sulmues me kualitet dhe kështu do të ndodhë. Nga superliga serbe do të vijë sulmuesi Stefanoviç, i cili i është këshilluar presidentit lezhjan nga ana e mbrojtësit Stojkoviç, i cili është një ndër të paktët titullarë të mbetur nga sezoni i shkuar. Me këtë futbollist është arritur marrëveshja dhe të premten ai vjen në Lezhë për t’u vënë nën urdhrat e trajnerit Kulli. Kështu, presidenti Noka plotëson një nga kërkesat kryesore të stafit teknik dhe njëkohësisht mban premtimin e parë.

Premtimi i dytë – Ky premtim ka të bëjë me anën financiare, që ndikon esencialisht në një ekip futbolli. Kishte thënë se çdo datë 7 do të kalojë në bankë paga mujore e çdo futbollisti. Dhe kështu ka ndodhur, por me ndryshimin se lekët janë kaluar më datë 8, pra ditën e hënë, pasi data 7 i takonte e diel. Pra, presidenti Noka ka treguar se është mjaft korrekt në këtë drejtim me futbollistët, të cilët duhet të rrinë të qetë dhe të mendojnë vetëm për të fituar në fushë.

Ndërkohë, është bërë gati dokumentacioni për 15 futbollistët që tashmë konsiderohen zyrtarisht pjesë e Besëlidhjes dhe më datë 12 ky dokumentacion do të dorëzohet në FSHF. Pra, është lënë hapësirë për federimin e futbollistëve të tjerë, që do të përzgjidhen nga të rinjtë apo ndonjëri mund të vijë si përforcim te Besëlidhja.

Dy miqësore jashtë për të fiksuar titullarët
Drejtuesit lezhjanë kanë programuar dy ndeshje miqësore këto ditë me dy ekipe të superligës. Sot, në stadiumin “Loro Boriçi”, lezhjanëtdo të luajnë me Vllazninë, ndërsa disa ditë më pas në Krujë me Kastriotin. Ndoshta mund të ketë edhe ndonjë miqësore në Lezhë në vazhdim, por kjo nuk është vendosur. Presidenti Noka pohon se nëpërmjet këtyre miqësoreve do të përcaktohen titullarët e Besëlidhjes dhe futbollistët e stolit.

“Konkurrenca në ekip është e hapur dhe titullarët duhet ta tregojnë në fushë se meritojnë të luajnë ata në formacion. Pavarësisht se mund të jetë nën kontratë me Besëlidhjen, askush nuk e ka të sigurt vendin në formacion. Është stafi që vendos se kush duhet të luajë, na varësi të formës që çdo futbollist tregon,” – ka thënë shkurt presidenti i Besëlidhjes, Gjokë Noka.
Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top