Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Noka: Do të investojmë për një Besëlidhje fituese me djemë të rinjë

Presidenti i Besëlidhjes, Gjokë Noka, është i vendosur për të ngjitur këtë ekip në superligë dhe, pas dështimit sezonin që shkoi, po merr masat e duhura që të mos gabojë në të riun, që nis në fund të gushtit. Ai ka mbajtur vetëm pak titullarë të ekipit të vjetshëm dhe është ende aktiv në merkato për të pasur një Besëlidhje sa më të fortë. Në intervistën e mëposhtme për “Sportin shqiptar”, presidenti lezhjan thekson se dëshiron të investojë për djem të rinj, të cilët kanë dëshirë dhe ego për të bërë karrierë. Në vëmendjen e tij është edhe infrastruktura, që po përmirësohet ndjeshëm në klubin lezhjan. Presidenti Noka është i kënaqur me gjendjen e ekipit dhe pohon se Besëlidhjes i duhet ende një mesfushor i djathtë dhe një sulmues, për të cilët jep garanci se do të vijnë.

Keni shkrirë ekipin e sezonit të kaluar me synimin për të ndërtuar një Besëlidhje të re, më cilësore. A mendoni se ia keni arritur qëllimit?

Mendoj se po, pasi shumë futbollistë të grupit që tentonin të shfaqeshin si gjeneralë, në fakt ishin vetëm ushtarë tepër të lodhur. Futbollistët e afruar deri tani po demonstrojnë dëshirë dhe ego për të luajtur futboll, duke u stërvitur me përkushtim, rregull dhe disiplinë.
Keni testuar shumë futbollistë të rinj dhe me përvojë, por ende nuk është formatuar plotësisht ekipi. Cila është arsyeja?
Vërtet u zgjatëm shumë me seleksionimin, por synuam të gabojmë sa më pak. Duam të investojmë për djem të rinj, me dëshirë për të bërë karrierë në futboll. Konkurrenca do të jetë  shtysa për progres te çdo futbollist për ta merituar një post në ekipi. Përveç tre futbollistëve cilësorë që kemi mbajtur nga viti i kaluar, kam menduar të afroj pranë Besëlidhjes edhe një grup të vogël të rinjsh lezhjanë, të cilët premtojnë. Duke qenë afër ekipit, ata stimulohen, vlerësohen dhe ne mendojmë për vitet e ardhshme si një kontigjent i gatshëm për t’u futur në ekip.
U bënë tri ditë që ekipi ka filluar stërvitjen e programuar për sezonin e ri. Si e vlerësoni këtë fillim?
Them se është një fillim i mbarë. Ekipi stërvitet dy herë në ditë në Shëngjin dhe në aneksin e stadiumit. Futbollistët janë të grumbulluar, ushqehen, stërviten dhe pushojnë bashkërisht. Kushtet i kanë shumë të mira dhe nuk u mungon asgjë.
Po problemet financiare a janë të zgjidhura për tërë kampionatin?
Financat janë të garantuara plotësisht. Çdo datë 7 të muajit, futbollistët do të marrin pagën mujore.
Keni fituar ndeshjen e parë miqësore 1-0 në Kukës. Vlerësimi juaj për këtë miqësore cili do të ishte?
Përgjithsisht kam mbetur i kënaqur. Ekipi tregoi vlera loje dhe dëshirë për rezultat, duke luftuar për 90 minuta dhe pati mundësi të shënonte edhe gola të tjerë. Pati momente të bukura me lojë të organizuar dhe me veprime harmonike për aq kohë sa futbollistët kanë luajtur bashkë.
Jeni shprehur se merkatoja është e hapur. Çfarë mbetet për t’u plotësuar në ekip?
Kemi nevojë për një mesfushor të djathtë dhe një sulmues, prandaj dhe jemi në kërkim të tyre. Jam i angazhuar plotësisht për t’i afruar sa më shpejt. Unë jam tip që flas pak dhe punoj shumë.
Ju kemi parë shumë të angazhuar edhe për rikonstruksionin e fushës në stadium, të aneksit e mjediseve të tjera brenda e jashtë stadiumit. A janë në gatishmëri këto mjedise për fillimin e aktiviteteve kombëtare, sipas kërkesave të FSHF-së?
Jemi gati me çdo gjë, pasi kemi niveluar dhe mbjellë me bar zona të veçanta në fushë, janë rikonstruktuar mjediset brenda e jashtë stadiumit dhe kemi kthyer në gjendje shumë të mirë aneksin. Ai i ka të gjitha kushtet për stërvitje, por edhe për ndeshjet e  U-19-ës dhe U-17-ës. Po përfundojmë të gjithë dokumentacionin që duhet për federimet e futbollistëve.
Cili është objektivi i Besëlidhjes për kampionatin e ri?
Pas dështimit sezonin që shkoi, besoj se në fund të këtij që vjen do të rikthehemi në superligë.
1 sezon ka presidenti Noka në krye të ekipit lezhjan. Ai synon që në të dytin ta arrijë objektivin e ngjitjes në superiore
2 vende bosh kanë mbetur te Besëlidhja aktualisht, njëri në krah të djathtë të mesfushës dhe tjetri në sulm
3 titullarë nga Besëlidhja e sezonit të kaluar kanë mbijetuar. Ata janë portieri Xhika, mbrojtësi Stojkoviç  dhe Gruda.
Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top