Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Noka e bën “top” skuadrën, do Superioren

Dje skuadra lezhjane ka pasur pushim në kalendarin e miqësoreve dhe vetëm një seancë stërvitore ka mjaftuar për të mbyllur dhe javën e nëntë të përgatitjve në kampionatin e ri futbollistik. Gati dy muaj stërvitje, gjatë të cilave janë provuar e seleksionuar me dhjetra futbollistë, kanë “prodhuar” tashmë një skuadër, e cila dita ditës po tregon se ajo vërtet mund të quhet ekipi i ëndërrave për lezhjanët. Me të gjitha repartet e kompletuara, madje dhe me një “stol” të fuqishëm, lezhjanët duken disi të frikshëm me performancën e tyre në stërvitje e gjatë testeve të kontrollit, që janë zhvilluar deri tani. Natyrshëm që këto arritje janë paraprirë me një plan të hartuar nga presidenca e klubit, në mënyrë që skuadra të formatohej herët, për t’u lënë rrugë përgatitjeve nga stafi teknik i skuadrës. Dhe ky duket se ka qenë një faktor i rëndësishëm, që skuadra e Kullit është para skuadrave të tjera me përgatitjet për këtë edicion. 

Besëlidhja është tashmë thuajse një skuadër me emra të rinj, të cilët u janë bashkuar tre titullarëve të vjetshëm, duke treguar dhe njëherë se presidenti Noka, që në fillim, ka qenë shumë ambicioz e kërkues për një ekip, që do të kënaqë tifozërinë lezhjane e do të përfaqësojë qytetin verior denjësisht. Te lezhjanët ka të ardhur rishtaz që nga Shytani, Peqini e Dibra në repartin difensiv e më pas në mesfushë Jacaj, Pepa, Trajkoviç e Malasi, kurse për vijën e parë A.Dibra, Miliç dhe Mehja. Dhe së bashku me mesfushorin Gavriloviç, që pritet të vijë, plotësohen shifrat e një skuadre futbolli. Dhe me këto plotësime e përforcime, jo vetëm presidenti Noka, por dhe tifozeria lezhjane kërkojnë e presin shumë prej kësaj skuadre. 

Asnjëherë nuk është artikuluar qartë objektivi ndërsa presidenti Noka ka pohuar se: “Nuk është aspak e nevojshme që ne të dalim në media e të deklarojmë se do bëjmë këtë, apo atë. Futbollistët e skuadrës e stafi teknik i dinë shumë mirë detyrat, sepse, për këtë arsye, e kemi filluar punën shpejt”. Ndërkaq, duke mos përjashtuar aspak garën e fortë në Kategorinë e Parë, presdenti Noka ka shtruar para të tijve detyrën dhe nevojën për të vlerësuar çdo kundërshtar e çdo ndeshje, kudo që të luhet ajo, në mënyrë që të mos gabohet si sezonin e shkuar. Duket se këtë vit lezhjanët do të jenë më racionalë e pragmatistë në lojrat e tyre, por njëherazi shfaqen edhe emocionet e para të fillim kampionatit në Lezhë, të cilat tregojnë angazhimin dhe përgjegjësinë e presidentit Gjokë Noka, klubit e stafit teknik.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top