Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Vjen Gavriloviç, Kulli ndihet “top”

Gavriloviç para disa ditësh është paraqitur në Lezhë për provë dhe pavarësisht se ai ka bindur me lojën e tij, nuk është arritur akordi me lezhjanët. Por tani është fakt: ai vjen nga vendlindja e tij me gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të qenë zyrtarisht pjesë e Besëlidhjes. Mesfushori sulmues serb ka luajtur me disa skuadra të vendit të tij, madje dhe të Superligës serbe, dhe së fundi ka luajtur në Beograd. Futbollisti 27-vjeçar, 1.77 metër i gjatë, në kampionatin e atjeshëm ka luajtur si mesfushor i krahut të djathtë, por dhe në qendër përpara, ku është dalluar jo vetëm për shërbimet ndaj të tjerëve por dhe për aftësitë shënuese të tij. Lezhjanët vazhdimisht kanë kërkuar një futbollist me profil të tillë, prandaj dhe këmbëngulja e presidentit Noka për ta bërë pjesë të skuadrës, ka të bëjë pikërisht me cilësitë dhe polivalencën e tij si futbollist. Garantimi i këtij futbollisti nga lezhjanët është vlerësuar si një ndër goditjet e forta në merkaton verore dhe me këtë përforcim ajo mund të konsiderohet e mbyllur.

Mesfusha - Me ardhjen e serbit Gavriloviç, stafi teknik i skuadrës ndjehet thuajse i qetë. Duke pasur mungesë futbollistësh mesfushorë në sezonin e kaluar, duket se dhe vëmendja për ta kompletuar këtë repart ka qenë më e madhe nga presidenti Noka dhe nga drejtuesit e skuadrës. Futbollistët e inkuadruar në mesfushë si, Pepa, Trajkoviç, Gavriloviç, Malasi, Jacaj e Gruda, mendohet të jenë pika më e fortë edhe sepse disa prej tyre kanë aftësi të luajnë më të avancuar. Kështu që disa nga këto futbollistë do të jenë mbështetës të fuqishëm të veprimeve mësy­mëse në ndihmë të Dibrës dhe Miliçit. Ndërkohë, ndo­njëri prej tyre, si Gavriloviç e Jacaj, në rast nevoje, mund të luajnë përpara.

Kulli -Tani që skuadra është kompletuar, tekniku Kulli ka pohuar se i duhet të përshtasë mënyrën e rreshtimit të një skuadre, që në gjirin e saj ka shumë mesfushorë. Ditët e mbetura do të shfrytëzohen për përgatitjen taktike të skuadrës dhe, siç shprehet Kulli, “duhet mbajtur fort parasysh fakti që, këtyre futbollistëve t’u vemë në dispozicion një rreshtim që të përkojë me aftësitë e tyre sulmuese. Unë kam shumë besim se në garën që fillon së shpejti ne do të jemi të suksesshëm edhe për faktin se, me mbështetjen e fuqishme të presidentit Noka, kemi bërë një merkato të mirë”.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top