Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja, e gatshme në çdo drejtim për kampionatin

Presidenti Gjokë Noka shpreh bindjen se ndeshja me Himarën do të flasë gjuhën lezhjane. Besëlidhja, pas një periudhe përgatitjesh intensive dymujore, është e gatshme për fillimin e kampionatit. Megjithëse dëshira e presidentit Noka ishte që ndeshjen e parë ta luante në transfertë, goglat ia mohuan dhe ekipi do ta fillojë sezonin sot në Lezhë, para sportdashësve të vet. Ndeshja e parë është me Himarën, që vjen nga kategoria e dytë, por me një ekip simpatik, me futbollistë vlonjatë, por edhe me trajner po vlonjat. Himara drejtohet nga ish-portieri i Flamurtarit dhe i Besëlidhjes për shumë vite, Luan Birçe. Për këtë arsye është i mirëpritur nga tifozëria dhe shokët e tij, me të cilët ka luajtur në Lezhë.

Premiera - Ndeshja e sotme pritet me shumë interes nga futbolldashësit lezhjanë, të cilët duan ta shohin ekipin e tyre për herë të parë pas riformatimit të plotë të tij, sepse nuk kanë pasur ndeshje miqësore në qytetin e tyre. Dhe stafi teknik e administrativ, me në krye presidentin Gjokë Noka, kanë shfaqur një vlerësim real për kundërshtarin, duke e vlerësuar si një ekip me vlera, që për meritat e aftësitë e veta është ngjitur në kategorinë e parë. Madje, për ndeshjen e sotme presidenti Noka thotë: “E respektoj realisht kundërshtarin, por ne luftojmë vetëm për fitore dhe kjo ndeshje do të flasë vetëm gjuhën lezhjane.” Ndërsa për dëshirën e tij të paplotësuar për ta luajtur ndeshjen e parë në transfertë, ai shton: ”Vërtet kisha dëshirë ta filloja kampionatin me një fitore në transfertë, por edhe kështu mirë është, pasi çdo fitore ka vlerën e 3 pikëve.”

Kalendari - Më tej, i pyetur për shortin e kampionatit, ai përgjigjet: ”Shorti është short dhe unë e respektoj, sido që të jetë. Kam ndërtuar një ekip ambicioz dhe me mendësi fituesi, prandaj dhe shorti është në plan të dytë, pasi mua më intereson të fitoj çdo ndeshje dhe këtë do t’i kërkoj ekipit çdo ditë e çdo javë. Megjithatë, them se kalendari për ne është i mirë. Por pikët t’i jep fitorja në fushë dhe jo goglat e shortit. Këtë po kërkoj dhe tek ekipi, se loja luhet dhe fitohet në fushë dhe jo në gazeta, as me shanse goglash. Çdo ndeshje ka vleren e 3 pikëve dhe çdo ndeshje duhet vlerësuar, prandaj dhe kjo duhet filluar qysh sot,” – përfundon presidenti  Gjokë Noka.
Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top