Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja e re, në parametra të shkëlqyer

Numri 1 i ekipit lezhjan pohon se të gjitha repartet janë të kompletuara, por veçon atë të mesfushës si më të konsoliduarin Aktualisht Besëlidhja është në kulmin e përgatitjeve për sezonin e ri. Sot (dje) ka filluar java e dytë e procesit stërvitor të programuar dhe ngarkesat janë në rritje, por futbollistët i kanë përballuar suksesshëm ato, megjithëse vapa përveluese e këtij mesgushti ka qenë një pengesë serioze. Testimi i dytë i ekipit në miqësoren me Vllazninë, pas asaj me Kukësin, i ka bindur drejtuesit lezhjanë se përgatitjet e deritanishme janë mjaft produktive. 

Noka entuziast - Tepër i kënaqur ka mbetur presidenti Gjokë Noka, i cili për paraqitjen e ekipit në miqësoren e Shkodrës thotë: “Besëlidhja bëri një lojë harmonike dhe bindëse. Gjykuar nga faza në të cilën janë përgatitjet e ekipit, them se jemi në rrugë të mbarë. Futbollistët e përballuan denjësisht ekipin shkodran në të gjithë komponentët, por unë veçoj gjendjen e mirë fizike dhe harmonizimin e veprimeve ndërmjet lojtarëve. Ky është një sinjal i mirë dhe mendoj se në aspektin fizik dhe të harmonizimit të veprimeve si skuadër, Besëlidhja do të jetë në parametra shumë të mirë. Them se të gjitha repartet janë kompletuar me lojtarët e duhur, duke filluar nga porta me Xhikën, për të vazhduar me mbrojtjen e mesfushën dhe përfunduar me sulmin, që me afrimin e serbit Feruzoviç dhe Mehjes, tani shkodrani Dibra e ndien veten ngrohtë, pasi deri tani ishte e vetmja alternativë. Me këta dy futbollistë kemi përfunuar gjithçka dhe ata janë pjesë e Besëlidhjes për tri vjet, pasi kaq zgjat kontrata e firmosur nga të dyja palët. Më lejoni të veçoj mesfushën si një repart tepër të konsoliduar dhe me një konkurrencë të brendshme, pasi aty luftojnë për vendin e titullarit Trajkovski, Pepa, Jaçaj, Gruda, Malasi e Buraku me Linin. Këta, bashkë me mbrojtësit dhe sulmuesit e portierin, do të jenë garancia e Besëlidhjes së re të superligës.”
Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top