Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Birçe? Është djali jonë, do e mundim me dhimbje!

Besëlidhja do ta luajë ndeshjen premierë të këtij kampionati sot me skuadrën debutuese të Himarës, duke e vlerësuar atë në maksimum, sikur përballja të ishte me një skuadër me emër shumë të madh. Deri para se të vinin tek kjo ndeshje, ata kanë punuar shumë dhe tashmë janë gati me gjithçka, për të startuar me këmbë të mbarë. Tashmë problemi i dokumentacionit të disa futbollistëve është zgjidhur dhe Kulli do të ketë në dispozicion të gjithë futbollistët që janë stërvitur gjatë kësaj periudhe. Trajkoviç, Miliç e Malasi tashmë janë federuar dhe në ndeshjen e kontrollit të së mërkurës kanë qenë pjesë e skuadrës, e cila mendohet të vihet sot përballë himariotëve. 

Ndërkohë, gjatë kësaj jave, performanca e skuadrës ka qenë ndjeshëm më e mirë se ajo e javëve më parë. Futbollistët duken shumë më të lirshëm dhe ambjentimi me njëri-tjetrin mund të konsiderohet çështje e zgjidhur. Por në prag të këtij takimi është evidentuar diçka e veçantë, që ndoshta në pragndeshje ndodh rallë. Kjo ka të bëjë me respektin dhe mikpritjen që lezhjanët kanë ndërmend t’i rezervojnë skuadrës himariote, në mes të tjerave, për nder të trajnerit të tyre Luan Birçe. Vlonjati, ndoshta në kohën e artë të tij luante në Lezhë dhe vërtetë ka shkëlqyer ndërsa lezhjanët e kanë akoma të freskët karakterin dhe kontributin e ish-gardianit të dikurshëm Birçe, pikërisht atëhere, kur skuadra lezhjane u ngjit më lart se asnjëherë tjetër në futbollin shqipëtar. “Luan Birçe ka luajtur dy sezone me Besëlidhjen dhe ai gjithmonë do të mbetet një mik i mirë i tyre, prandaj dhe respektin atij dhe skuadrës himariote ia kemi borxh”, ka thënë presidenti lezhjan Gjokë Noka. 

Nga ana tjetër, lezhjanët e dinë fort mirë se në fushën e lojës, Birçen me djemtë e tij do t’i kenë kundërshtarë dhe janë përgatitur që këtë takim ta fitojnë duke e quajtur këtë detyrë që patjetër duhet realizuar. Sipas drejtuesve lezhjanë të futbollit, kjo do të arrihet nëpërmjet lojës që do të zhvillojë skuadra e tyre, me korrektësi e ndërshmëri. Por megjithëse lezhjanët ndjehen të fortë e të kompletuar, nga drejtuesit është tërhequr vëmendja, për të mos pasur asnjë shenjë euforie e nënvlerësimi, pasi në të kundërt ky do të ishte një lluks i tepërt.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top