Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Fitorja gëzon tifozerinë lezhjane, por jo loja e skuadrës

Ndeshja e së shtunës me himariotët, për lezhjanet ka qenë një sfidë e vështirë, e cila edhe ishte parashikuar. Për arsye se debutuesit dihej që do të kishin një karikim maksimal ndaj Besëlidhjes, ashtu siç dihej se Besëlidhja do ta vuante ndeshjen e parë në fushën e saj. Dhe në fakt rrjedhat e lojës të tilla kanë qenë, ku bregdetarët e jugut kishin ardhur në Lezhë për të marrë një pikë, siç u shpreh dhe trajneri i tyre Luan Birçe, sipas të cilit me atë që tregoi fusha e lojës edhe e kanë merituar. Himariotët në atë ndeshje u mbrojtën mjaft mirë, me qetësi e pjekuri dhe reparti difensiv me Imeraj në qendër të tij zgjidhi me mjaft sukses situatat që krijuan vendasit e Kullit. “Më gëzon fitorja, por jo loja e skuadrës. Pavarësisht se fizikisht kemi arritur tregues mjaft të mirë, koordinimi i lojës mes futbollistëve e reparteve ka nevojë të përmirësohet. Veçanërisht ambjentimi i futbollistëve të huaj me skuadrën dhe lojën e saj, mbetet një problem që duhet ta kemi në konsideratë”, ka thënë Kulli. Kurse një nga problemet më të rëndësishme që kryepankina lezhjane ka evidentuar për skuadrën është finalizimi. “Në këtë ndeshje ne treguam se krijojmë raste por jemi të pasaktë e të pavëmendshëm në finalizim. Kujtoj këtu rastet e pastra të Dibrës e Gavriloviç. Ne luajmë mjaft mirë në tërë fushën, përveç 20 metrave, në afërsi të portës kundërshtare”, përfundon trajneri Kulli.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top