Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Kulli: Besëlidhja, shumë shpejt në nivelin e kërkuar

Lezhjanët nuk bindën me lojë në fitoren e javës së parë me Himarën, por trajneri Ridvan Kulli beson se të tijtë do t’i tregojnë vlerat e vërteta në Skrapar. Megjithëse me një lojë jobindëse, sidomos në pjesën e parë, Besëlidhja ka marrë tri pikët e para. Ajo ka mundur minimalisht Himarën në ndeshjen e parë të kampionatit, e zhvilluar në Lezhë. Ishte paraqitja e parë e skuadrës para dashamirësve të vet, pasi katër ndeshjet miqësore Besëlidhja i kishte zhvilluar në transfertë. Ndoshta për këtë fakt futbollistët nuk kanë arritur të shfaqin vlerat e veta reale. Sidomos në pjesën e parë, Besalidhja ka pasur vështirësi në organizimin e lojës dhe në manovrën sulmuese.

Megjithëse përgjithësisht djemtë e trajnerit Kullit e kanë dominuar lojën, nuk kanë arritur të jenë efektivë në lojën sulmuese, duke e rrezikuar vetëm në dy-tre raste portën kundërshtare dhe duke shënuar vetëm një gol. Për këtë shterpësi, trajneri Kulli shprehet: ”Lojën e dominuam ne, por nuk u ngjitëm në nivelin e duhur, ku i kemi edhe mundësitë. Na mungoi së pari harmonizimi i veprimeve si grup dhe sidomos finalizimi para portës kundërshtare. Them se vështirësia kryesore është me katër futbollistët serbë, të cilët ende kanë probleme në këtë drejtim. Pastaj, duhet thënë se ishte ndeshja e parë e zhvilluar në Lezhë, para sportdashësve tanë, çka ndikoi psikologjikisht dhe në organizimin e lojës dhe harmonizimin e veprimeve si skuadër, por edhe ndërmjet reparteve e futbollistëve të veçantë. E filluam mirë lojën, por nuk patëm përqendrim dhe vazhdimësi gjatë gjithë 90-minutëshit.”

Gjendja fizike -  Ndërsa pyetjes, nëse skuadra shfaqi mangësi fizike, tekniku lezhjan i përgjigjet: ”Jo, futbollistët nuk patën probleme fizike. Ne erdhëm duke e rritur nivelin e lojës, sidomos në pjesën e dytë, kur krijuam më tepër raste për të shënuar. Edhe pasi shënuam në fillim të pjesës së dytë, vazhduam të ushtronim presion në kërkim të golave të tjerë. Kështu, Dibra ka shpërdoruar dy raste të tjera,” – përfundon trajneri Kulli.

Skrapari - Besëlidhja ka marrë tri pikë në fushën e vet për të synuar rezultate të tjera pozitive në ndeshjet e ardhshme. Ndeshjen e radhës lezhjanët do ta luajnë në Skrapar, ku ekipi vendës, nisur nga  performanca dhe rezultati i arritur në ndeshjen e parë me Elbasanin, pritet të jetë një kockë e fortë edhe për Besëlidhjen. Për këtë përgatitjet po vazhdojnë me intensitet.

Stafi teknik dhe futbollistët janë të përqendruar totalisht në stërvitje për të korrigjuar gabimet e shfaqura në ndeshjen e parë. Presidenti Noka është optimist për një rezultat pozitiv në Skrapar. Këtë ai e kërkon nga futbollistët, të cilët në 4 miqësoret e zhvilluara në transfertë kanë treguar vlera loje në çdo aspekt.

Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top