Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Një Besëlidhje perfekte në ndeshjen e fundit

Presidenti Noka flet me superlativa për paraqitjen në ndeshjen e fundit dhe i konsideron shpifje akuzat e trajnerit elbasanas për shitje nga të tijtë. Besëlidhja ka zhvilluar një nga ndeshjet më të bukura ndaj Elbasanit, duke e kurorëzuar lojën e saj me 4 gola. Siç duket, ekipi lezhjan i shpalos vlerat e veta me kundërshtarë  cilësore, ashtu siç ka bërë edhe në tri miqësoret e zhvilluara me ekipe të superligës, si Vllaznia, Kastrioti dhe Teuta. Ka funksionuar gjithçka në mënyrën më të mirë. Çdo repart dhe futbollist i veçantë ka qenë në harmoni të plotë, si një ansambël i mirëdirigjuar nga trajneri Kulli.

Besëlidhjes i kanë mjaftuar 25 minuta për të siguruar fitoren e thellë, duke shënuar 3 gola. Pra, lezhjanët e kanë dominuar lojën në çdo drejtim ndaj një kundërshtari cilësor, që kishte ardhur me synimin e fitores. Por ndoshta elbasanasit nuk e kanë njohur mirë forcën reale të Besëlidhjes, duke e vlerësuar nga ajo humbje në Skrapar, ku ata vetë kishin barazuar një javë më parë. Sido që të jetë, ekipi i drejtuar nga Kulli ka demonstruar një lojë të bukur dhe rezultateve, që ka kënaqur  të pranishmit dhe të gjithë futbolldashësit lezhjanë.

Ekipi, perfekt  Për fitoren e ekipit të tij, presidenti Gjokë Noka thotë: ” Kemi fituar një ndeshje me një rival të drejtpërdrejtë. Ishim përgatitur seriozisht për këtë fitore. Kemi qenë perfektë në çdo drejtim. Ky është ekipi i vërtetë që kam ëndërruar me shumë mund, djersë dhe para. Jam shprehur se me këtë ekip përballoj çdo ekip jo vetëm të kategorisë parë, por edhe të superligës. Madje, me ekipe cilësorë i tregojmë vlerat tona reale.”

Akuzat, të pavërteta - Ndërsa për akuzat e trajnerit elbasanas për shitje të ndeshjes nga të tijtë, presidenti lezhjan shprehet: “Akuzat e trajnerit të Elbasanit se ne paskemi blerë lojtarët e tij i konsideroj shpifje për të dalë vetë i larë. Kam pasur respekt për teknikun elbasanas si një profesionist me pervojë në menaxhimin dhe drejtimin e futbollit në qytetin e tij, por me këto lajthitje ia ka ulur vlerat vetes maksimalisht.

Ai ndoshta ka përvoja në ato që akuzon të tjerët, mund të joshë edhe futbollistët e tij, që i ka përzgjedhur vetë, por nuk më njeh fare mua. Unë paratë i kam për futbollistët e mi dhe në asnjë rast për veprime kaq të ulëta, që nuk kanë qenë, nuk janë dhe nuk do të jenë pjesë e karakterit tim.

Mendimet dhe veprime të tilla kaq të ulëta nuk më kanë shkuar asnjëherë në mendje, por, siç duket, ai i paska për zemër e metodë pune. Vetëm për një rast, po të isha treguar aq i ulët sa qenka ai vetë, unë sot do të isha në superligë, kur në fakt atje janë të tjerë. Dhe unë jam “viktimë” e veprimeve të të tjerëve.

Kam një ekip që e kam formuar nga e para dhe kriteri bazë i përzgjedhjes së futbollistëve ka qenë ndershmëria. Synoj të luftoj me ndershmëri për të rritur cilësinë e futbollit në Lezhë, për të kënaqur shikuesit lezhjanë dhe për të vënë një gur sado të vogël në futbollin shqiptar.”

Ndeshja me Elbasanin ka kaluar dhe tashmë lezhjanët po mendojnë për Luftëtarin, pasi duan të marrën tri pikë të tjera ndaj një tjetër rivali të drejtpërdrejtë, që aktualisht udhëheq tabelën e renditjes me pikë të plota.

4 gola - shënoi Besëlidhja në portën e elbasanasve, 3 që në pjesën e parë, duke regjistruar fitoren më të thellë të saj deri tani

2 fitore - kanë lezhjanët në fushën e tyre në po kaq ndeshje dhe shpresojnë që ta përsëritin këtë riatual edhe ndaj gjirokastritëve. 
Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top