Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja, dy serbë për të mbyllur ndeshjen

Lezhjanët kanë lënë pas shijen e mirë të asaj pjese të parë të luajtur në Lushnje dhe marrjen e një pike, ndërsa që ditën e hënë kanë startuar përgatitjet për ndeshjen e radhës, ku përballë do të jetë skuadra sarandiote. Për lezhjanët, gjithmonë deputuesit kanë qenë disi të frikshëm, sepse ka ndodhur që ata të bëjnë një rezistencë të paparashikuar, madje në ndonjë rast i kanë hequr pikë Beslëidhjes, prandaj dhe vlerësimi për rastin konkret është ai që duhet. Gardiani Dashamir Xhika, i cili pretendon se e njeh kampionatin e Kategorisë së Parë ka shtuar, se sarandiotët duhen marrë seriozisht, pasi pavarësisht se janë deputues, me paraqitjen e tyre në këto ndeshjet e para kanë treguar nivel dhe këmbëngulje, për të mos u mposhtur lehtë. 

Në kuadrin e përgatitjeve që po bëhen për këtë ndeshje, po punohet që skuadra të jetë e garantuar në prapavijë dhe kjo sipas Xhikës do jetë ajo që do t’i japë siguri skuadrës së tij, ndërsa ka kërkuar nga reparte të tjera të bëjnë punën e tyre për të zhbllokuar rezultatin, sa më shpejt dhe për të kënaqur me lojë lezhjanët që do të ndjekin ndeshjen. Në fakt, për këtë, më shumë se askush po mendon tekniku Kulli, i cili duket se me këtë ndeshje do t’u japë fund edhe eksperimentimeve për të përcaktuar 11-shin e titullarëve dhe vendosjen e tyre në fushë. 

Ashtu si në ndeshjen me Lushnjën, ku duket se është bindur nga loja e futbollistëve në rolet e caktuara edhe në këtë ndeshje, trajneri lezhjan ka menduar që sulmin t’ua besojë dy futbollistëve serb, Gavriloviç e Miliç, ndërsa shkodranin Dibra do ta kthejë në rolin e mesfushorit të djathtë, rol të cilin në ndeshjen me Lushnjen e kreu mjaft mirë. “Në takimin e së shtunës me Lushnjen kam parë që Miliç e Gavriloviç janë kuptuar mirë me njëri-tjetrin mjaft mirë, madje edhe goli ka qenë produkt i kësaj dysheje. 

Ndërsa Dibra i pozicionuar në mesfushë, me përgatitjen e lartë fizikë dhe treguesit e shpejtësisë mendoj se do të jetë një “piston” i vërtetë për skuadrën. Kemi mundësi, që funksionimin e tyre ta shohim edhe më mirë në ndeshjen me sarandiotët”, ka thënë Kulli. Ndërsa vazhdojnë përgatitjet, ku Kulli po tenton të zhvillojë një cikël javor stërvitjeje me ngarkesa e të larmishëm, duket se askujt nuk i shkon ndërmend se lezhjanët mund të gabojnë, aq më shumë në fushën e tyre. 

Sidoqoftë, këto lloj skuadrash aq sa janë të mirëpritura në qytetin verior, po aq janë edhe të vlerësuara, më shumë për faktin se ato nuk njihen. Besëlidhja ka disa vite që nuk është përballur me sarandiotët, madje mbi 30 vjet, që kur ata kanë luajtur në Kategorinë e Dytë të asaj kohe. Ndërkaq, presidenti lezhjanë Gjokë Noka ka hapur dyert e zemrën e tij bujare, për të pritur sarandiotët, që në Lezhë vijnë me “ambasadorin” e tyre, lezhjanin Elton Demi, i cili luan për ngjyrat sarandiote.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top