Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja u falet edhe një herë këmbëve të Jaçajt

Me “kostumin” e kryesuesit dhe në prani të tifozërisë së vet, Besëlidhja pritej të ishte e motivuar për të marrë 3 pikët ndaj miqve nga Saranda, të cilët gjithashtu kishin ardhur për pikë. Fillimi i ndeshjes është i ekuilibruar dhe ekipet shpërdorojnë nga një rast, vendësit me Dibrën dhe miqtë me Kolën. Në të 32-ën Butrinti humbet rastin më të pastër për të shënuar, kur Papa, brenda zonës, godet fort në portën e boshatisur, por topi nuk i bindet dhe gjen traversën lezhjane. Pas 30 minutash lojë me gabime të dyanëshme, ekipi mik shfaqet tepër rrezikshëm te porta e Xhikës. Besëlidhja e ul disi ritmin, ndërsa futbollistët miq, duke parë mefshtësinë lezhjane, lëshohen në gjysmëfushën e Besëlidhjes për ta goditur portën e Xhikës, pse jo dhe për të shënuar, por fati nuk ishte me Papën. 

Pjesa e parë mbyllet e bardhë, pasi Besëlidhjes i mungon organizimi, manovra sulmuese, gjuajtjet në portë, kontrolli i kundërshtarit dhe lufta për topin e parë. Ekipi lezhjan është larg lojërave të mira e rezultative të zhvilluara në 5 ndeshjet e deritanishme. Kurse Butrinti, pas një hezitimi 10-minutësh, e kërkon golin. Edhe pjesen e dytë, megjithë ndihmën e erës karakteristike lezhjane, Besëlidhja pak ka korrigjuar në lojë. Edhe sarandiotët vazhdojnë të mbrohen mirë, të organizohen në mesfushë, por pa rrezikuar Xhikën. 

Megjithëse nuk janë bindës, lezhjanët arrijnë të shenojnë në të 70-ën, kur Jaçaj, i aktivizuar në fund të pjesës së parë, shfrytëzon në mënyrën më të mirë një top të kthyer nga mbrojtja dhe godet fort nga distanca, duke e kaluar Besëlidhjen në avantazh. Është goli i dytë i Jaçajt me vlerën e 3 pikëve, pasi një të tillë u ka shënuar edhe gjirokastritëve para dy javësh. Goli e ka zbukuruar lojën dhe vendësit kërkonjë dyfishimin, ndërsa miqtë barazimin. Nëse Miliç e kishte mundësinë për dyfishim, sarandiotët nuk e patën një mundësi të tillë për të udhëtuar drejt Sarandës me një pike.
Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top