Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Kulli: Kryesimi, tërësisht i merituar për Besëlidhjen

Trajneri i lezhjanëve, Ritvan Kulli, pohon se ekipi i tij funksionoi mirë ndaj Luftëtarit, edhe pse ka kritika për shpërdorimin e rasteve. Fitorja minimale me Luftëtarin e ka barazuar në pikë Besëlidhjen me ekipin gjirokastrit dhe, falë golaverazhit më të mirë, lezhjanët kryesojnë renditjen e kategorisë parë. Ka qenë një fitore e merituar dhe që mund të ishte më e thellë. Ka bërë gjithçka mirë Besëlidhja në atë ndeshje, pasi ka shënuar qysh në minutën e 7-të, si dhe ka funksionuar si një ansambël i derigjuar mirë nga tajneri Kulli nga stoli dhe Pepaj në fushë si kapiten.

Mesfusha Mesfusha ka qenë reparti që funksionoi më së miri, pasi futbollistët kanë bërë mirë detyrën e mbrojtësit, kur kundërshtari zotëronte topin, por shpejt janë kthyer në organizatorë dhe pjesëmarrës të manovrës sulmuese, kur është marrë topi. Lezhjanët kanë shënuar vetem një gol, por edhe kanë shpërdoruar mjaft raste të tjera tepër të favorshme.

Gavriloviç, Dibra, Miliç, Pepa, Jaçaj dhe Trajkoviç kanë shkelur çdo cep të fushës me dhe pa top, duke vallëzuar shpesh ndërmjet kundërshtarëve dhe duke e gjetur njëri-tjetrin sikur të kishin shumë vite që luajnë bashkë. Gjithçka e kanë interpretuar në mënyrën më të mirë deri te porta mike, pasi pikërisht aty ose janë gjendur në kundërkohë, ose nga nxitimi kanë gabuar në goditjen e fundit të topit për ta dërguar në rrjetë.

Trajneri Kulli Megjithëse trajneri Ritvan Kulli ka mbetur i kënaqur nga loja dhe fitorja, ai shpreh edhe rezerva për shpërdorimin e rasteve te porta kundërshtare. Për këtë ai thotë: ”Fituam një ndeshje ndaj rivalit kryesor, që në përbërje ka futbollistë cilësorë dhe me shumë përvojë në futbollin shqiptar. Shënuam shpejt, çka na e lehtësoi punën, pasi ekipi u çlirua.

Besëlidhja funksionojë mirë si grup. E zotëruam tërësisht mesfushën dhe e kontrolluam lojën, duke mos e vënë për asnjë moment në diskutim fitoren. Duhet të kishim shënuar gola të tjerë, por futbollistët shpërdoruan shumë raste. Megjithatë, them se ekipi luajti mirë, i zbatoi detyrat, duke dalë disa herë para portës kundërshtare me veprime të shpejta dhe të palexueshme nga gjirokastritët.

Pastaj, se sa rastet kthehen në gola janë momente të përqendrimit dhe të pozicionimit të lojtarit në vendin dhe kohën e duhur. Nëse kundër Elbasanit kjo funksionoi mirë dhe ne shënuam 4 gola e shpërdoruam pak, me Luftëtarin u krijuan shumë raste dhe u shënua vetem një gol. Ngaqë ka situata të tilla, futbolli është gjithmonë i bukur.

E rëndësishme është që ekipi luajti mirë, e meritoi plotësisht fitoren, kontrolloi lojën, kënaqi tifozërinë lezhjane dhe kryesorja morëm tri pikë me meritë dhe që na motivojnë në rrugën tonë për ta realizuar objektivin. Duhet ta kishim goditur kundërshtarin në 25 minutat e fundit, kur ata e dorëzuan lojen. Kjo kërkon edhe pjekuri, përvojë e më shumë besim e guxim për ta materializuar epërsinë në lojë me rezultat më të thellë. Besëlidhja e meriton të jetë në vend të parë.”
Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top