Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Lezhjanët janë të bindur: “Roza Haxhiu” transfertë për Lushnjën

Transferta në Lushnje është një nga ndeshjet e vlerësuara më seriozisht nga lezhjanët, të cilët sot përfundojnë përgatitjet dhe do të udhëtojnë, që nesër të gjenden sa më afër qytetit të Lushnjës. Tekniku Kulli do të ketë formacionin e plotë, përveç mbrojtësit të qendrës Stojkoviç, i cili është skualifikuar. Përmirësimi dhe rikuperimi i plotë i dy serbëve të tjerë, Gavriloviç e Miliç, e ka qetësuar teknikun, i cili në këtë ndeshje të rëndësishme do të ketë mundësinë e hedhjes në fushë të formacionit më të mirë të mundshëm. Tani që përgatitjet kanë përfunduar dhe mendohet se janë bërë të plota, një armë tjetër e lezhjanëve në këtë ndeshje është karikimi dhe motivimi maksimal që i është bërë skuadrës. 

Forma e mirë e arritur prej të gjithë futbollistëve ka rritur vetëbesimin e skuadrës, e cila mendon se nuk do të gabojë si në Skrapar, edhe pse për ta do të jetë një ndeshje shumë më e vështirë. Ndërsa futbollistët mendojnë se në Lushnje luhet futboll i pastër dhe mundësitë për të mposhtur skuadrën e këtij qyteti janë më të mëdha, se sa të ndodhë e kundërta. Nga ana tjetër, në rast fitoreje, skuadra do të ketë një premio nga presidenti Noka, i cili ka premtuar se krahas pagesës mujore, futbollistët në rast fitoreje do të marrin edhe 200 mijë lek të vjetra shpërblim. Kështu që lezhjanët mendojnë që suksesin e parë në transfertë ta arrijnë pikërisht nesër me lushnjarët e Baballekut, mbase duke përfituar edhe nga disa mungesa të rëndësishme të formacionit të tyre.

Ndërsa teknikisht për këtë ndeshje ka menduar Kulli, i cili pasi ka njohur mirë aftësitë e futbollistëve ka përcaktuar saktë edhe rolet ku ata mund të japin më shumë. Edhe nga provat e djeshme është dukur qartë, se skuadra do t’i kushtojë më rëndësi veprimeve sulmuese. “Mendoj të luajmë me modulin klasik 4-4-2 dhe nëpërmjet detyrave speciale që do kenë mesfushorët e krahut, madje dhe ndonjëri nga mbrojtësit, mendojmë të rrism fuqinë goditëse të skuadrës, në mënyrë që ajo të qëndrojë vazhdimisht përpara dhe të shënojë. Kurse në detyrat mbrojtëse shpresoj të mos gabojmë, pasi lojtarët e këtij reparti, si Peqini, Kepi, Shyti e Shytani kanë eksperiencë dhe tashmë janë familjarizuar me lojën e njëri-tjetrit”, ka thënë Kulli. Ndërkohë tekniku lezhjanë është shprehur me bindje se skuadra e tij edhe këtë javë do të qëndrojë në krye.
Burimi: Sport Ekspres 
Back To Top