Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja nuk e llogarit humbjen në Lushnjë

Besëlidhja pretendon të ruajë kreun në stadiumin “Roza Haxhiu”, ku trajneri Kulli pret më të mirën nga të tijtë. Pas fitores minimale në Lezhë me rivalin kryesor, Luftëtarin, një tjetër rival e pret Besëlidhjen nesër, Lushnja, por këtë herë ndeshja luhet në transfertë. Për këtë ekipi lezhjan i ka përqendruar përgatitjet javore për t’u përballur me sukses me kundërshtarin e radhës. Stafi teknik, me në krye trajnerin Ritvan Kulli, ka bërë maksimumin e mundshëm për ta përgatitur ekipin në të gjithë komponentët e lojës së futbollit.

Mungesa e Stojkoviçit Krahas përgatitjes fizike dhe teknike, kujdes të veçantë trajenri Kulli ka treguar në aspektin taktik për ta ndërtuar modulin e lojës sa më efikas dhe në përshtatje me aftësitë e çdo futbollisti, si dhe me lojën e kundërshtarit. Por mungesa e serbit Stojkoviç në qendër të mbrojtjes i ka shkaktuar pak dhimbje koke trajnerit.

Stojkoviç ka plotësuar numrin tre të kartonëve të verdhë dhe për pasojë do të mungojë në Lushnjë. Por trajneri Kulli ka edhe alternativa të tjera, pasi edhe stoli lezhjan ka futbolliste cilësorë dhe që presin të aktivizohen për të treguar vlerat e veta, madje me synimin për të zënë një vend titullari.

Gjykimi i Kullit Megjithëse Besëlidhja luan në transfertë dhe me një rival të drejtpërdrejtë, futbollistët dhe stafi teknik janë të përgatitur për ta përballuar me sukses edhe këtë ndeshje. Për këtë trajneri Kulli thotë : ”Është një ndeshje e vështirë, pasi luajmë me një ekip rival dhe që ka në përbërje lojtarë cilësorë. Mbi të gjitha, Lushnja është një ekip me traditë në futbollin shqiptar dhe që ka pasur dhe ka një emër të mirë e kontribues në cilësinë e futbollit.

Për të gjitha këto ne e respektojmë kundërshtarin realisht dhe ndeshja ka vështirësitë e veta. Ata nuk duhen vlerësuar nga rezultatet e 4 ndeshjeve të para, pasi ekipet ende nuk janë konsoliduar. Edhe ne shkojmë në Lushnjë për të luajtur futboll, për të treguar vlerat tona dhe për të luftuar për rezultat pozitiv.

Ekipi është në gjendje të mirë morale e psikologjike dhe i motivuar maksimalisht për të dhënë më të mirën në fushë. Udhëtojmë për në Lushnjë me autoritetin e kryesuesit të kategorisë së parë dhe për të treguar se e meritojmë këtë vend, por gjithmonë në fushë me lojë korrekte, të bukur e rezultative.

Fatet e ndeshjes do t’i vendosë fusha. Ajo do të tregojë se kush do të gabojë më pak dhe kush do të jetë më efektiv. Shpresoj të jemi ne ata, pasi jemi përgatitur për këtë sfidë. Vërtet thuhet se lushnjarët luajnë mirë me kundërshtarë të fortë, por edhe ne e kemi treguar me vepra se me të fortët luajmë mirë dhe jemi rezultativë,” – përfundon trajneri lezhjan, Kulli.

1 mungesë - Të rëndësishme do të ketë Besëlidhja për ndeshjen e nesërme, që është ajo e mbrojtësit serb, Stojkoviç

1 transfertë - ka luajtur ekipi lezhjan në këto 4 javë të para, atë me Skraparin në javën e dytë, ku është mundur 2-1 
Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top