Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Luftëtari, të njëjtin fat me Elbasanin

Presidenti Gjokë Noka ka besim të plotë tek ekipi I tij dhe shpreh bindjen për një tjetër fitore, këtë radhë me kryesuesit. Për ekipin lezhjan, kjo javë ka qenë një javë pune intensive në kuadrin e përgatitjeve për ndeshjen e sotme me kryesuesit e kategorisë parë. Trajneri Ridvan Kulli, krahas procesit stërvitor, është ndalur shumë në aspektin psikologjik,me qëllimin për të ruajtur ritmin dhe vazhdimsinë e lojës së bukur e rezultative, si dhe për ta ulur ekipin në tërësi e ndonjë futbollist në veçanti me këmbë në tokë, pas asaj fitorjeje të thellë me Elbasanin.

Ai është i bindur se ka një ndeshje të vështirë me kryesuesit e garës, prandaj dhe ndonjë shenjë sado e vogël euforie nuk ka vend për ekipin lezhjan, sepse do të ishte vetëvrasje në këtë moment.  Është vetëm fillimi dhe ende kampionati nuk ka marrë rrugë, ekipet ende nuk i kanë treguar vlerat reale, kështu që kërkohet përqendrim dhe vlerësim real i kundërshtarit të radhës, që vjen në Lezhë me kostumin e kryesuesit.

Përgjigje kryesuesve Gjirokastritët vijnë me synimin  e shprehur në “Sportin shqiptar” për të marrë tri pikë. Ndoshta ata nuk i ka bërë llogaritë mirë, pasi përballë kanë një ekip cilësor, që lufton për superligën dhe që ka një president korrekt, fjalëpak e punëshumë, i cili qëndron çdo ditë në krye të Besëlidhjes për çdo problem. Madje, presidenti Gjokë Noka u përgjigjet me të njëjten monedhë dekleratave të gjirokastritëve për ndeshjen e sotme:

”E kam thënë edhe herë të tjera se luftoj, flas dhe fitoj në fushë, por edhe këtë herë ma imponuan miqtë e mi nga Gjirokastra,  ashtu si më detyruan një javë më parë ata nga Elbasani, që e mendonin të fituar ndeshjen. Pas ndeshjes llogaritë dolën ndryshe, kështu që edhe për kundershtarin e radhës e them me bindje se kështu do të ndodhë. Besëslidhja e ka ekipin të plotë dhe të gatshëm për ta parballur me sukses Luftëtarin, me një lojë korrekte, të bukur, burrërore e rezultative.

Jemi të motivuar maksimalisht, me një gjendje shumë të mirë psikologjike, me formacionin e kompletuar dhe me dëshirën për të fituar. I mirëpresim gjirokastritët si na ka hije të dyja palve, si miq të mirë, por në fushë do të fitojmë ne, pasi nuk kemi alternativë tjetër, kur luajmë me rivalin tonë më potencial.

Nuk kishim asnjë synim në kupë, prandaj i gjithë ekipi ka qëndruar në Lezhë për të vazhduar përgatitjet për ndeshjen me Luftëtarin. Vërtet çdokush futet në lojë për të fituar, por kur shprehesh me garanci totale për fitore pa filluar ende loja, them se është ngutje dhe nxitim i tepruar,” -  ka theksuar presidenti Gjokë Noka.

Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top