Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Luftëtari thyhet në Lezhë, Besëlidhja i merr kreun

Është ndeshja e tretë në Lezhë që Besëlidhja e fillon lojën në mënyren më të mirë, duke shënuar shumë shpejt në portën kundershtare. Kundër  Luftëtarit kryesues ka shënuar në minutën e 7-të, kur  mesfushori tepër punëtor, Jaçaj, pasi është shmangur nga e majta në hyrje të zonës, ka goditur fort rrafsh me tokën, duke shënuar një gol të bukur, por edhe me vlerën e tri pikëve të rëndësishme për  ekipin e tij. Eshtë një fillim i mirë për të dy ekipet, por që lezhjanët shfaqen më rrezikshëm te porta gjirokastrite me anë të Gavriloviçit,  Jaçajt dhe Miliçit. Goli e ndez lojën, pasi miqtë nuk pajtohen me disavantazhin dhe sulmojnë në kërkim të barazimit, por pa e rrezikuar seriozisht Xhikën. Edhe lezhjanët ngulmojnë për të dyfishuar rezultatin. E kështu loja bëhët e bukur, me sulme dhe kundërsulme të dyanshme, por gjirokastritët nuk rrezikojnë seriozisht. Devolli dhe pastaj Trajkoviçi provojnë të godasin portat respektive, por gabojnë. Besëlidhja është më e organizuar në mesfushë. Pepa, Jaçaj, Gruda dhe Gavriloviç, jo vetem kryejnë mirë veprimet mbrojtëse, por edhe ndihmojnë aktivisht sulmuesit Dibra e Miliç. Nga ana tjetër, “senatorët” miq, Devolli, Nora, Raboshta e Ramadani janë të pafuqishëm ta rrezikojnë portën lezhjane. Pjesa e parë mbyllet me një  goditje te Rraboshtës, që pritet bukur nga Xhika.

Pjesa e dytë fillon me një rast për Besëlidhjen. Gavriloviç jep një pasim të saktë në zonë për Dibrën, që gjendet në kundërkohë dhe shpërdoron një rast ideal për ta dyfishuar rezultatin. Vazhdojnë vendësit të kërkojnë golin e sigurisë, por shpërdorojnë shumë sulmuesit. Me mendje nuk heqin dorë as gjirokastritët për të shënuar, por me veprime janë tepër larg golit, madje në 20 minutat e fundit sikur u mungon edhe freskia fizike. Mungesën e reagimit të miqve nuk e shfrytëzojnë lezhjanët, të cilët, edhe pse luajnë në gjysmëfushën gjirokastrite, nuk janë në gjendje ta dyfishojnë rezultatin për paaftësi të sulmuesve, që shpërdorojnë rastet e krijuara me aq mund. Kështu mbyllet kjo ndeshje me fitoren e merituar të Besëlidhjes, që duhej të ishte më e thellë. Gjirokastritët nuk treguan ndonjë vlerë të veçantë në Lezhë, megjithse kanë lojtarë cilësorë dhe me përvojën e nevojshme. Me ketë fitore Besëlidhja kalon Luftëtarin në renditje, falë golaverazhit më të mirë.

Trajnerët
Ritvan Kulli, trajneri i Besëlidhjes: “Ishte një fitore e merituar me një rival që ka në përbërje lojtarë cilësorë dhe me përvojë. Shënuam shpejt,  por edhe shpërdoruam shumë. Nuk e vumë për asnjë moment në diskutim rezultatin.”

Mustafa Hysi, trajneri i Luftëtarit: “Ekipi u çorodit, sidomos në mesfushë. Pësuam një gol aksidental dhe pas kësaj humbjeje them se kemi ende punë për të bërë. Suksese lezhjanëve.” 
Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top