Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Trajneri Kulli i huton të gjithë në stërvitje!

Në testin e djeshëm të kontrollit, tekniku lezhjanë Ridvan Kulli ka kërkuar të provojë futbollistët e tij, për të përcaktuar 11-shin e titullarëve, që do të fillojnë lojën përballë skuadrës së Butrintit ditën e shtunë. Në të dyja pjesët e lojës së testit përbërjet kanë qenë të ndryshme, por disa futbollistëve të veçantë u janë ndërruar rolet. Mungesa e mbrojtësit Aldi Shyti, i dëmtuar në ndeshjen e së shtunës me Lushnjën, ka detyruar Kullin, që në vendin e tij të tërheqë mesfushorin Gruda, i cili duket se përballë sarandiotëve do të ketë pikërisht këtë rol. Kjo sepse në një fraksion loje në rolin e mesfushorit të majtë ka luajtur Gavriloviç, kurse në pjesën e dytë shkodrani Dibra. Por në fraksionin e dytë të testit-provë, ajo që ka bërë përshtypje ka qenë kalimi i Kepit nga mbrojtës i majtë, në rolin e mesfushorit të djathtë. Ndërsa finalizimin e veprimeve sulmuese, ashtu siç ishte parashikuar, Kulli ua ka besuar dy serbëve, Gavriloviç dhe Miliç. 

Sidoqoftë, formacioni dhe vendosja e futbollistëve në pjesën e dytë ka funksionuar më mirë dhe drejtuesit e skuadrës, duke mbetur të kënaqur, ka të ngjarë që tani të kenë përcaktuar si përbërje të skuadrës atë që mbylli ndeshjen e kontrollit. Ndërkohë, ajo që ka rënë në sy në këtë test kontrolli ka qenë kërkesa e teknikut Kulli ndaj skuadrës, për të ushtruar presing me pjesmarrjen e të gjithëve dhe në mënyrë të vazhdueshme. Kështu që lezhjanët po përgatisin për të vënë përballë sarandiotëve një skuadër që vetëm do të sulmojë. “Duke luajtur në këtë mënyrë, skuadra jonë do ta zgjidhë ndeshjen shpejt dhe asnjëherë nuk do ta vërë në diskutim fitoren e saj”, është shprehur mesfushori lezhjanë Mirsad Gruda, ndërkohë që edhe tifozeria lezhjane pret që skuadra e saj të koleksionojë fitoren e katërt dhe të mos e lëshojë kreun e renditjes.

Dëmtimet - Në ndeshjen e rradhës me Butrintin, tekniku Kulli nuk do të ketë në dispozicion dy futbollistë, të cilët pothuajse në të gjitha ndeshjet e zhvilluara kanë qenë pjesë e skuadrës. Mesfushori shkodran Jacaj, i cili i ka siguruar skuadrës lezhjane tre pikë të çmuara me golin e shënuar ndaj Luftëtarit është i dëmtuar gjatë stërvitjes, që para ndeshjes me Lushnjën. Ai është parë duke bërë stërvitje të diferencuar, kryesisht vrapime, dhe duket se vështirë se mund të jetë i gatshëm për lojë ditën e shtunë. Ndërsa mungesa e dytë është ajo e mbrojtësit Shyti, i cili është dëmtuar në fund të pjesës së parë në Lushnjë dhe sipas mjekëve për një javë ai do të qëndrojë pushim.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top