Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Xhika: Për Besëlidhjen nuk ka fusha të vështira

Portieri i lezhjanëve thekson se ekipi i tij është i ndërtuar për sukses dhe nuk diskuton asnjë kundërshtar, madje as në transferë. Besëlidhja kryeson renditjen e kategorisë së parë pas 6 javësh kampionat, ku ka treguar më shumë stabilitet se skuadrat e rëna nga superliga, që janë konsideruar kandidate kryesore për t’u ngjitur në të. Filozofia e presidentit Gjokë Noka dhe e bashkëpunëtorëve të tij duket se po jep rezultat. Edhe pse pa shume emra impresionues, lezhjanët po bindin se janë kandidatë kryesorë dhe jo më kot qëndrojnë në vend të parë. Përveçse kanë marrë pikë në fushën e Lushnjës, ata kanë mundur deri tani dy nga rivalët e drejtpërdrejtë, Elbasanin dhe Luftëtarin.

Portieri i Besëlidhjes, Dashamir Xhika, i cili luan sezonin e dytë me fanellën lezhjane, thekson se kjo skuadër është ndërtuar për të qenë fituese dhe nuk ka diskutim se në fund të kampionatit do të jenë në superligë, madje edhe si kampione e kategorisë së parë. Xhika pranon se fitorja me Butrintin u arrit me vështirësi, por nuk duhet gjykuar nga ajo ndeshje, ku ndikuan faktorë të ndryshëm. “Gardiani” i portës lezhjane thekson se Besëlidhja është një skuadër, që nuk pyet se ku luan dhe kundërt kujt, por thjesht synon fitoren në çdo 90-minutësh.

Butrinti “Vërtet fituam minimalisht në ndeshjen e fundit, por askush nuk mund të na gjykojë nga kjo ndeshje. Me Butrintin luajtëm në kushte atmosferike shumë të vështira, ku ishte e pamundur të flisje për cilësi. Pjesën e parë e kishim erën kundër dhe unë kisha shumë frikë. Gjithsesi, e rëndësishme është që morëm 3 pikët, që janë parësore në raste të tilla,” – thotë Xhika, duke iu referuar ndeshjes së fundit, ku lezhjanët fituan ndaj sarandiotëve falë një goli të Jaçajt.

Burreli “Të gjthë e konsiderojnë të vështirë transfertën e Burrelit, por ne shkojmë me besim në këtë ndeshje, sepse kemi një skuadër të ndërtuar për të fituar në çdo fushë. Këtë e kemi treguar deri tani, duke mundur dy nga rivalët tanë dhe duke marrë pikë në Lushnjë. Nuk them se do të jetë e lehtë dhe ne e kemi të garantuar fitoren, por, si në çdo 90-minutësh do të mundohemi ta bëjmë si duhet detyrën tonë, që në fund të marrim rezultat pozitiv. Burrelin e respektojmë për vlerat që ka, por shkojmë atje për të treguar se jemi Besëlidhja kryesuese,” – thekson portieri kryeqytetas në lidhje me ndeshjen e radhës.

Korrektësia financiare “Te Besëlidhja ka shumë faktorë që ndikojnë në suksesin e saj, por them se korrektësia financiare është kryesorja. Gjithçka është e garantuar për skuadrën tonë në këtë aspekt, kështu që të gjithë kemi motivin e duhur dhe jemi para përgjegjësisë për të dhënë atë që kërkohet. Besoj se do të ecim me ritmin e duhur deri në fund dhe, përveç superligës, nuk ka pse të mos fitojmë dhe titullin,” – ka përfunduar portieri i Besëlidhjes, Xhika.

3 gola ka pësuar Xhika në 6 ndeshjet e deritanishme, ku ka qenë titullar i padiskutueshëm. Kryeqytetasi u bashkua me skuadrën lezhjane në janar të vitit të kaluar dhe, me paraqitjen e tij të mirë, e ka bindur presidenti Gjoka për ta mbajtur në Lezhë.
Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top