Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja, gati për të kthyer spektaklin

Ka nisur me optimizëm java anti-Gramsh në kampin lezhianë. Besëlidhja vjen në sfidën e radhës, pas një humbje aksidentale, sikur ka qenë ajo me debutuesit e Ilirisë. Edhe pse nuk është pritur mirë nga tifozeria vendase, përsëri lezhianët e shikojnë të rikuperueshme situatën, duke parë që përpara do të kenë edhe 21 javë në dispozicion. Në këto 9 javë reparti ofensiv ka shënuar 12 gola dhe kjo nuk është në parametrat e cilësisë së sulmit lezhianë. Me futbollistë të kalibrit si Arens Dibra, Mario Gavriloviç apo Aleksandër Miliç, ky numër golash nuk i kënaq investimet dhe kërkesat e tifozerisë së Besëlidhjes. Kryesulmuesi shkodran i lezhianëve, Dibra do të ishte në të njëjtin mendim me kërkesat e kërkuara, por do të justifikohej me këtë situatë, përpos kohës së pamjaftueshme të njohjes së lojës së futbollistëve edhe me dëmtimet e shumta që kanë pësuar disa futbollistë kryesorë të skuadrës.

“Është e vërtetë, që më këtë kualitete që kemi, duhet të kishim shënuar më shumë, por duke patur parasysh që ne jemi një ekip i ndërtuar nga futbollistë, që e njohim pak njëri-tjetrin mendoj, se mbase na duhet edhe pak kohë për t’u harmonizuar. Edhe pse kjo sasi golash nuk është e pakënaqshme, përsëri duhet të jemi koshientë, se kërkohet më shumë nga ne. Por – vazhdon Dibra - nëse dëmtimet do të na justifikonin, atëhere mendoj se ne kemi qenë më shumë se të dëmtuar. Në këto 9 javë, pak ndeshje e kemi patur komoditetin, që të kenë luajtur së bashku të gjithë sulmuesit. Gjithsesi, kjo nuk na liron nga përgjegjësia. Besoj se në takimin e radhës do të jemi të kompletuar edhe rezultati do të jetë ai që do të tregojë forcën e sulmit tonë.

Edhe përsa i përket vetes time, mbas një periudhe disajavore dëmtimi jam në gjendje optimale. Por më e rëndësishmja është, se së bashku do të kem në krahë edhe Gavriloviçin e munguar, por edhe Miliç. Takimi i Gramshit do të jetë edhe një kthesë për repartin tonë, që në këtë sfidë do të performojë spektakël dhe gola. Mungesa e gjatë na e ka shtuar dëshirën për të bërë më të mirën e mundshme, për këtë mbështetje që kemi këtu në Lezhë, si nga tifozeria, ashtu edhe nga stafi menaxhues, që për hir të së vërtetës i ndihemi borxhli", përfundon prononcimin, talenti i sulmit lezhian, Arens Dibra.

Ndërkohë pritet që sot, ekipi të jetë i kompletuar, ku nën urdhërat e trajnerit Kulli do të jenë edhe futbollistët serbë, të cilët kanë munguar që nga e shtuna e humbjes me Ilirinë dhe ndoshta penaliteti do t’i “idhnojë” sadopak, megjithëse janë të njohur me këtë masë, që në ditën e parë të tij.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top