Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja, në dorë të futbollistëve serbë

Takimi i kontrollit ka mbyllur përgatitjen anti-Iliri, në kampin lezhian. Senatorët janë treguar të pamëshirëshëm, ku për kundërshtar kanë patur skuadrën U-19. Bashkë me spektaklin, ata kanë shkarkuar edhe një mori golash në portën e të rinjve të tyre. Ajo që ka rënë në sy në këtë këtë takim kontrolli ka qenë aktivizimi edhe pse në një pjesë edhe të munguarëve të takimit të parë. Kështu për takimin e së shtunës, Besëlidhja me gjasa do të ketë edhe shërbimet e dy prej forcave potente, sikur janë Gavriloviç dhe Arens Dibra. Me rikthimin e Gavriloviçit plotësohet edhe kuarteti i futbollistëve serbë, Stojkoviç, Trajkoviç, Miliç dhe Gavriloviç. Mesfushori Vojisllav Trajkoviç, autor i golit të parë me Besën, e ka mirëpritur rikthimin e bashkatdhetarit të tij dhe do të shprehej:

"Mario (Gavriloviç) është është një pikë referimi për ne. Padyshim është një forcë nga më cilësoret dhe sulmi nuk mund të kuptohet pa të. Kemi kaluar një provë të vështirë duke mundur Besën dhe kjo do të na shërbejë për motivimin e suksesit të radhës. Edhe pse nuk kam ndonjë përvojë të madhe, sepse jam 23 vjeç, kjo eksperiencë këtu në Lezhë do të jetë mbresëlënëse. Këtu jemi bërë “qytetarë nderi”, nga respekti që gëzojmë nga qytetaria lezhiane. Jemi tejet të respektuar dhe të vlerësuar dhe kjo na obligon, që të lëmë zemrën, për t’ua shpërblyer këtë respekt dhe dashamirësi. Kjo situatë na bën që të rrimë gjatë në këtë ekip. Edhe kontratat i kemi të tilla, prandaj Besëlidhjen e duam njëlloj, sa edhe një lezhian. Edhe për takimin e radhës do të përpiqemi që të bëjmë më të mirën e mundshme.

Megjithëse ekipi i Ilirisë ka katër pikë, përsëri ne jemi “të dënuar” që ta fitojmë këtë takim, aq më tepër që do të kemi avantazhin, se ky takim do të zhvillohet në fushë asnjanëse. Nëse vazhdojmë me këtë impenjim dhe seriozitet, padyshim që suksesi është real. Kemi mësuar se edhe Iliria është aksidentalisht në këtë situatë renditjeje, sepse paska ekip të fortë, gjithsesi duke e krahasuar me ekipet e forta, si Elbasani, Besa, apo Luftëtari. Matematikisht duhet të fitojmë. Por llogaritjet e vërteta do të dalin në fushë, atje ku ne do të shprehemi vetëm për të fituar”, do të shprehej fantazisti Vojisllav Trajkoviç. Ndërkohë, lezhianët do të vazhdojnë perfeksionimin e skemave anti-Iliri, në dy ditët që do të kenë në dispozicion, deri në pasditen e së premtes, kur do të vendosin përfundimisht skemën dhe lojtarët që do të aktivizojnë, për takimin e transfertës me Ilirinë.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top