Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja, pas tifos për Elbasanin, mendjen tek e shtuna

Edhe pse fitorja e Luftëtarit me Elbasanin, nuk është pritur aspak mirë, përsëri lezhjanët shpresojnë, se kampionati do t’u japë mundësinë në këto 21 javë, që të tregojnë forcën e tyre. Mbasi kanë kolauduar ekipin, lezhjanët po presin që në këtë sfidë të rikthehen tek fitorja, jo vetëm në rezultat, por edhe me një lojë bindëse. Gramshiotët do të gjejnë në këtë takim edhe dy ish-futbollistët e tyre, sikur është mbrojtësi Peqini dhe mesfushori Malasi. Të dy futbollistët do të flisnin me konsiderata për “aventurën” në ekipin e Gramshit, por sipas mbrojtësit Peqini: “Ne jemi profesionistë dhe ana sentimentale është vetëm një ndjesi emocionale dhe jo primare. Edhe pse kemi qenë të vlerësuar në Gramsh, ndoshta ajo që na largoi kanë qenë objektivat e ekipit.

Aty flitej vetëm për qëndrim në këtë kategori, ndërsa këtu në Lezhë, ngjitja një kategori më sipër është detyra primare dhe të gjitha investimet flasin për një ekip, që këtë objektiv e kanë të arritshëm. E respektoj ish-ekipin tim – vazhdon komentin e tij Peqini - sepse ka bërë goxha ndryshime dhe investime në futbollistë, por edhe ka bërë një paraqitje të mirë në këto javë, por nuk shikojë ndonjë rreze shprese, që të mund të përballojë ekipin e Besëlidhjes, në stadiumin tonë. Këtë nuk e them me eufori dhe se jam pjesë e skuadrës lezhjane, por sepse kjo është një e vërtetë e dukshme. Ajo që u tregojë unë ish kolegëve është, se këtu në Lezhë nuk ka presione të jashtëme.

Rezultati do të jetë produkt i asaj që kanë dhënë ekipet në fushë. Nëse ata do ta meritojnë fitoren, të jenë të sigurt se do të duartrokiten nga tifozeria jonë edhe pse do të jetë e padëshiruar nga ne. Këtë kërkojmë nga takimet që kemi në transferta. Por duke njohur të dy ekipet mendoj se do të jetë një sfidë paqësore, por për rezultatin e kam bindje, që fitojmë madje me diferencë golash. Aq më tepër, që edhe statistikat historike flasin për sezonin e kaluar, katër pikë për Besëlidhjen dhe një për Gramshin”, ka përfunduar qendërmbrojtësi tiranas i Besëlidhjes, Peqini.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top