Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja, “shpina e mbuluar”

Futbollisti Florian Peqini është pjesë e suksesit lezhjan të këtij fillimsezioni.Tiranasi i mbrojtjes së Besëlidhjes, së bashku me serbin Aleksandër Stojkoviç, përbëjnë një nga pikat më të konsoliduara, jo vetëm të mbrojtjes, por të gjithë reparteve të tjerë të skuadrës. 26-vjeçari vjen në këtë experience, mbasi ka dalë nga moshat dinamovite, ka kaluar disa eksperienca në ekipin e origjinës, pastaj në Skrapar, në Gramsh dhe destinacioni i fundit do të ishte ekipi i Besëlidhjes, ku pa dyshim kontributi i tij është tejet i vlerësuar nga tifozeria dhe stafi teknik i lezhjanëve. Tradicionalisht Besëlidhja ka qenë dhe është një “makineri” e prodhimit të mbrojtësve të kalibrit të lartë ku, përpos legjendave si Nikolin Lorenci, Paulin Deda të brezave të kaluara, jo më pak cilësore është brezi i sotem që kontribuon nëpër ekipe të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë si, Ndreka, E.Lika, Alcani, Grizha, Prela, A.Noka, etj. Në këtë brumë cilësor kanë mundur të “mbijetojnë” mbrojtësit aktualë si, Kepi, Stojkoviç, Gruda apo Florian Peqini.

Ashtu sikur edhe sezonin e kaluar ku reparti difensiv ka qenë më i miri me numrin më të vogël të golave të pësuar, edhe këtë sezon ndodhet në vendin e dytë me 5 gola të pësuar, një më shumë se kryesuesja Luftëtari. Tiranasi do të shprehej me superlativa për këtë eksperiencë, teksa do të theksonte për “Sport Ekspres”: " Problemet e kampionateve shqiptare tashmë janë të njohur, por këtu në Lezhë gjithçka është ndryshe. Do të thosha që likuidimet financiare kanë një korrektesë “gjermane” dhe kjo nuk është pak, sepse futbollistët luajnë futboll dhe nuk e mbajnë mendjen tek paratë. Por më shumë se kaq, jo i pakët është edhe vlerësimi dhe mbështetja që u jepet futbollistëve dhe veçmas atyre jabanxhinj”.

Ndërsa duke kaluar në planin teknik, 26-vjeçari do të thoshte: “Për këtë sezon kemi lënë pikë në transfertat e Skraparit dhe Ilirisë, por këto nuk kanë qenë si rezultat i lojës së dobët. Futbolli i pranon edhe humbjet, edhe kur ato janë të pamerituara. Jemi në vend të dytë duke qenë brenda objektivave për të kapur kreun. Besoj se nga ekipet që jemi përballur deri tani, pa modesti, them se grupi ynë bën diferencën, duke qenë dukshëm më i mirë. Gradualisht do të marrim edhe kreun. Shkëputja e kampionatit nuk ndikon për mire, sepse ne jemi një grup që e kemi arritur harmonizimin midis futbollistësh dhe kjo shkëputje vetëm sa ul ritmin e vazhdueshmërisë. Aq më tepër që do të donim që mos ta “jetonim” gjatë këtë humbje", do të përfundonte qendërmbrojtësi Florian Peqini, në një bisedë të zhvilluar me të në një ambient sportiv këtu në Tiranë. Ndërkohë, sot përfundojnë edhe pushimet e lezhjanëve dhe ata do t’i nënshtrohen  analizës post-Iliri, për të vazhduar stërvitjen ditore pranë aneksit të stadiumit “Brian Filipi”.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top