Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Debutuesit janë problemi i Besëlidhjes

Futbollistët lezhianë, pasi kanë shijuar pushimin 4-ditorë janë paraqitur këtë të mërkurë për të dhënë “llogari”, për atë humbje me debutuesen Iliria. Debutuesit janë problemi i lezhianëve. Ashtu sikur edhe me Skraparin, që fitoi dhe ka të njëjtin status, edhe me Ilirinë, lezhjanët janë ndëshkuar në të njëjtën mënyrë. Me lojë që ka folur vetëm për ata, por me rezultat që ka folur për debutuesit. Ndoshta nënvlerësimi është “armiku” i futbollistëve të Besëlidhjes, megjithëqë jo pak rëndësi i kushtoi trajneri dhe stafi menaxhues këtij fenomeni ndëshkues.

Gjithsesi ka qenë një analizë, që ndryshe nga sezoni i kaluar ka konsistuar në përmirësimin e difekteve të vërejtura dhe jo në ndëshkimin e futbollistëve. Besëlidhja në këto 9 javë ka bërë një paraqitje të shkëlqyer me rivalët, duke i mposhtur me lojë dhe me gola dhe ka lëshuar atje ku ndoshta suksesi është konsideruar më i lehtë, me ekipe të nivelit të dytë, sikurse është Burreli. Por ajo që është vërejtur gjatë këtyre javave ka qenë edhe numri i madh i dëmtimeve të futbollistëve kryesorë. Ka qenë edhe kjo një arsye e pikëve të munguar të Besëlidhjes, që gjithsesi është brenda objektivave edhe pse mundësitë reale janë për më lart.

Pushimet e gjata edhe pse nuk janë të favorshme për lezhjanët do të sjellin edhe rikthimin në parametra optimalë të futbollistëve Gavriloviç apo Dibra, dy kualitete të munguara, ose të aktivizuar me sforco. Duke ju përmbajtur të dhënave statistikore me Gramshin, Besëlidhja i ka statistikat pozitive, ku së paku për sezonin e kaluar i ka marrë këtij ekipi 4 pikë, me një fitore të thellë në Lezhë dhe me një barazim dramatik në Gramsh, ku në minutën e fundit portieri Xhika u ka pritur një penallti gramshiotëve. Por kjo nuk mund të jetë e vlefshme, pasi grupi lezhjan është tejet i fortë për këtë sezion.

Edhe pse ka qenë paqësore, stafi drejtues nuk e ka “përtypur” humbjen me Ilirinë dhe në fund të analizës janë marrë masa ndëshkuese, si penalizimi i futbollistëve dhe stafit teknik, me bllokimin e 50% të rrogave. Është një masë që edhe mund të kthehet, pasi nëse ekipi do të arrijë të marrë edhe 12 pikë deri në fund të sezonit, atëherë këto para do t’u rikthehen sërish futbollistëve.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top