Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Lezhjanët përgatiten për sfidën e akullt ndaj Gramozit

E qetë dhe me humor vazhdon situata në kampin lezhian. Padyshim fitorja me Gramshin ka patur ndikimin e vet edhe pse është arritur ndaj një ekipi modest, por që në fakt ka qenë një ekip i përgatitur profesionalisht nga trajneri Mustafaraj. Gjithsesi, tashmë kjo ka mbetur për statistikë, sepse ekipin e pret një sfidë “e ftohtë”. Ekipi kolonjar bën pjesë në ato pak ekipe, që i ka marrë trepikëshin në sezonin e kaluar Besëlidhjes, në stadiumin e vet. “Por kjo nuk ka lidhje me këtë sezon” - do të shprehej mbrojtësi Mirsad Gruda. “Është e vërtetë që ka ndodhur dikur, nga fillimi i kampionatit të kaluar dhe për hir së të vërtetës ka qenë një humbje e hidhur, teksa na ka ndërprerë prishur ritmin e atij sezoni. Ndërsa tani situata nuk është aspak e njëjtë.

E para dua të them, se në këtë edicion kemi një grup shumë kualitativ edhe pse kjo nuk figuron në emra, por në realitet. Ndërsa sezonin e kaluar mblodhëm një grup futbollistësh të shtrenjtë dhe nuk u shpërblye investimi. Mendoj se kemi një grup futbollistësh konkurentë dhe tashmë luan vërtetë ai që e meriton. Gjithsesi, pa u marrë me të kaluarën, do të thoja se jemi në një moment pozitiv edhe pse kemi bërë ndonjë gabim që mund ta evitonim. Takimin me Gramozin e kemi vlerësuar si një 90 minutësh, që vjen pas një situate që nuk duhet prishur edhe për pikët, por edhe për atmosferën në skuadër. Dua të them se futbollisti e ka të rëndë stolin, por situata ka ardhur e tillë, që kushdo do ta pranonte atë për hir të rezultatit të ekipit. Nga eksperienca ime në transfertat e Ersekës, ajo që është absolutisht pozitive është ambienti ku luhet futbolli.

Ç’ka dua të them, se në Ersekë kush di të fitojë e merr atë duke luajtur futboll. Edhe tifozeria nuk transmeton presion tek ekipi kundërshtar. Për këtë vit nuk e njohim mirë ekipin pritës, por është e ditur, që kjo kategori takimet është vërtetë shumë e vështirë. Rëndësi ka që ne të bëjmë lojën tonë dhe të shkarkojmë gjithë rezervat për këtë sfidë. Fitorja ka rëndësi, por kjo nuk do të thotë se këtë do ta kërkojmë me të padrejtë. Do ta deshëm këtë, nëse do ta marrim të shoqëruar edhe me duartrokitje të tifozerisë vendase, ashtu sikur bën tifozeria jonë këtu në Lezhë”, do të përfundonte mesfushori 25-vjeçar, Gruda, një futbollist lider i ekipit të Besëlidhjes, si dhe një specialist i goditjeve standarte, që jo pak herë i ka dhuruar ekipit të tij gola spektakolarë.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top