Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

“Me këtë inatosje, edhe Reali po të vijë, do ta mundim!”

Është kompletuar grupi i Besëlidhjes në këtë fillimjavë të përgatitjes anti-Gramsh dhe tifozeria lezhjane është tërë shpresë se do të shikojë këtë të shtunë ekipin e plotë. Skuadra e Kullit ndodhet në vendin e dytë në tabelën e klasifikimit dhe kjo është brenda objektivave të paracaktuar, por ekipi e përjeton vendin e dytë si të padrejtë dhe kjo ka sjellë edhe penalitetet financiare. Mesfushori Vojisllav Trajkoviç, i thirrur Melo në ambientet futbollistike të tifozerisë lezhjane, do të "qante" ndërprerjen e kampionatit si jo të dobishme për ekipin e Besëlidhjes, teksa do të shprehej: "Ne jemi një ekip i pjekur dhe nuk na është dashur ky stopim, aq më tepër që kjo shkëputje erdhi mbas një humbjeje që nuk e kemi pritur aspak mirë. Do të donim që, menjëherë mbas humbjes me Ilirinë, të kishim një takim tjetër, që mos të na mbante për një kohë kaq të gjatë me emocionet negative të humbjes. Mendoj se ka qenë e pafalshme që kemi lënë tri pikë në një ndeshje, që ndoshta e quajtëm edhe të lehtë, aq më tepër që pothuaj e luanim si në stadiumin tonë. Një nga pengjet e kësaj paraqitjeje ka qenë zhgënjimi që u bëmë tifozave tanë. Ka qenë e pamerituar. Gjithsesi, kampionati dhe futbolli i pranon këto dhe ne duhet të gjejmë forcat për t’u rikthyer atje ku na takon”.

Melon nuk e kënaq vendi i dytë: “Nuk është se është pozicion i keq, por duke parë përgatitjen e ekipit tonë, ky vend nuk na përket ne, por Luftëtarit, sepse ne e kemi mundur atë në takim direct. Ashtu siç kemi bërë me të gjithë rivalët e tjerë. Koha do të na japë të drejtë që të gëzojmë vendin që na takon. Në krye!”.

Për takimin e radhës, Trajkoviç e ka një batutë: “Më vjen keq, por edhe Reali të luante në këtë moment të "inatosjes" sonë nuk besoj se do të merrte barazimin. Kështu që Gramshi ka njëfarë ndërgjegjësimi për këtë takim, por kjo nuk na vë në gjumë, përkundrazi do ta respektojmë dhe vlerësojmë këtë sfidë si një finale, si dhe takim të kthesës së madhe. Tri pikët janë detyrim, ndërsa rregullimi i golaverazhit, detyrë shtëpie", do të prononcohej fantazisti i mesfushës lezhijne, Melo.

Serbi ka qenë një ndër futbollistët që nuk e ka "braktisur" Lezhën këto ditë të pushimeve, duke u stërvitur, si me grupin e të rinjve, ashtu edhe individualisht. Stërvitja e së hënës ka qenë një seancë e lehtë shkrythëse dhe është shoqëruar me veprime të lehta atletike dhe taktike.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top