Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Tekniku Ridvan Kulli bën edhe psikologun

Lezhianët vazhdojnë përgatitjen anti-Gramsh, me qetësinë dhe sigurinë që të jep komoditeti i një grupi, që nuk do të vuajë asnjë mungesë në përballjen e radhës. Kështu trajnerit Kulli do t’i shtohet edhe një "telash" tjetër, ai i përzgjedhjes së formacionit të parë, duke u ruajtur nga pakënaqësitë që sjell mosaktivizimi i futbollistëve, që e mendojnë se e meritojnë edhe pse kjo epidemi është “kuruar” në mënyrë perfekte nga stafi drejtues dhe veçanërisht nga Kulli, i cili është kthyer në një psikolog i specializuar. Edhe pse në radhët e ekipit lezhian, ndjenja e fajit për atë humbje të Ilirisë është prezente, sërish tekniku i ruhet një euforie të pashfaqur brenda futbollistëve.

Për këtë edhe trajneri i ka kushtuar një vëmendje speciale, duke i motivuar lojtarët në stërvitjen javore, që të jenë luftarakë dhe të pakompromisë. “Problemi është, se shkëputja e gjatë dhe humbja e kaluar ka shkaktuar njëfarë ulje të motivimit, aq më tepër që përballë do të kemi një ekip që nuk ka ndonjë emër, por që faktikisht është skuadra me rezultatet më të mira në transferta, prandaj u kam kërkuar të mijve që të ruajnë ritmin që në nisje të takimit, pa asnjë nënvlerësim. Kolegu Mustafaraj ka formatuar një grup simpatik dhe mbi të gjitha rezultativ. Vetëm një ndeshje jemi para, prandaj Gramshin duhet ta konsiderojmë si një rival.

Sipas dy futbollistëve tanë, Peqini dhe Malasi, që janë aktivizuar sezonin e kaluar tek Gramshi, ata tregojnë për një ekip 100% të ndryshuar këtë sezon dhe ky ndryshim është në motivim se sa në përbërje. Prandaj na del për detyrë, që ta mbajmë grupin të karrikuar që të mos biem në befasinë e miqëve. Gjithsesi, nuk ka arsye për panik dhe ky takim do të marrë rëndësinë e një takimi të radhës, pa u nënvlerësuar. Besojmë se i kemi të gjitha mundësitë, për ta kaluar këtë pengesë, por duke i dhënë vlerësimin e merituar, me seriozitetin e një ekipi që rezultatet duhet t’i menaxhojë deri në fund të kampionatit. Dhe paraqitja jonë e deritanishme edhe pse me ndonjë të metë që mund edhe ta kishim eleminuar, e tregon më së miri këtë”, përfundon tekniku i Besëlidhjes, Ridvan Kulli.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top