Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja, disa “ish” kundër Adës

Velipojakët do të kenë përballë në Lezhë, në takimin e kësaj të shtune me Besëlidhjen, jo vetëm një ekip që tenton kryesimin, por edhe një “klan” jo pak cilësor. Kështu, shkodranët A Dibra, Shytani, Pepaj dhe Jacaj që kanë qenë pjesë e ekipit të Adës do të kërkojnë si profesionista dhe pa asnjë nostalgji, vetëm tri pikët e radhës. Edhe fantazisti Vahi Pepa do të mposhti në këtë sfidë “dashurinë e parë”. Mesfushori ka qenë pjesë e ekipit të Adës në sezonet e kaluara dhe ka qenë një ndër futbollistët me “aksione” më të mëdha në tifozerinë velipojake. Për takimin e së shtunës, shkodrani nuk do t’i kursente elozhet për ish-ekipin e tij, por nuk shikon ndonjë "dritë" shprese për ta, qoftë edhe për t’iu afruar barazimit.

“Nostalgjia është pjesë e emocioneve të njeriut, por unë jam profesionist dhe Adës do t’i uroja suksese vetëm pas këtij takimi. Ada është një ekip me vlera dhe ka disa sezone që i afrohet pretendimit për një kategori më sipër dhe ndoshta është penalizuar, sepse i ka munguar qendrushmëria në fund të kampionatit. Edhe pse kam respekt për ish-ekipin tim, sepse atje kam një numër të madh fansash, përsëri kjo nuk më lëkund, për të bërë më të mirën për Besëlidhjen. Edhe pse jam i larguar, duke njohur grupin e Adës, them se ka një ekip të formatuar mirë dhe të fortë, me lojtarë që janë të një niveli të lartë edhe pse nuk kanë çarë tek ekipi i Vllaznisë, për probleme që ne i njohim.

Gjithsesi, unë njoh edhe Besëlidhjen dhe krahasimet nuk më japin ndonjë tregues, që mund të tregojë rivalitet me këtë ekip. Besoj se për suksesin ndikon edhe gjendja jonë psikologjike, e cila është në zenit, sidomos pas fitores në transfertën e Ersekës. Ka qenë e vetmja gjë që na mungonte. Për Besëlidhjen është momenti, që tashmë të marri ngjitjen e shumëpritur dhe kjo vjen edhe si rezultat, se grupi është në kohën e "pikut" të tij, që do të thotë, se tani ka ardhur edhe rendimenti i pritshëm, si rezultat i përshtatjes së futbollistëve me njëri me tjetrin, por edhe të asimilimit të skemave, të trajnerit tonë, Ridvan Kulli”, përfundon shkodrani i Besëlidhjes, Vahi Pepa, fantazisti i skuadrës.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top