Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja, tani me kapiten të ri

Qendërmbrojtësi Florian Peqini do të ketë përballjen e parë përpara tifozerisë së tij, si kapiten i lezhianëve. Duhej të kalonin plot 10 javë, që paraqitja e tij të detyronte drejtuesit teknik t’i delegonin shiritin. Edhe pse e ka refuzuar fillimisht, për të ruajtur ekuilibrat në ekip, ka qenë një vendim i pakthyeshëm i drejtuesëve të ekipit, që ka vendosur përfundimisht si kapiten, njërin nga futbollistët më të mirë të Besëlidhjes. Tashmë tiranasi i mbrojtjes do të shprehej: “Kemi kaluar një provë të vështirë në Ersekë dhe përpos fitores kemi ruajtur disiplinën taktike, si dhe jemi sjellë korrektë, pa krijuar tensione në fushë.

Kjo është shumë e rëndësishme në një transfertë, ku ekipi vendas duhet të pranojë humbjen, ndoshta edhe kur luan mirë. Tashmë kemi përballë një skuadër, që rezultatet i ka të paparishikueshme. Ashtu sikur ka marrë pikë në fusha të vështira, po kaq lehtë i ka lënë me ekipe të lehta. Duke qenë se ekipi ynë bën pjesë tek grupi i të fortëve edhe kjo përballje pritet që të jetë e tillë. Ne e kemi vlerësuar këtë sfidë, si një nga ato që futet tek të “vështirësisë” së lartë, ç’ka do të thotë, se do t’i japim edhe vlerësimin që kërkohet për ta fituar atë. Rëndësi ka për ne që të dalim në lojën tonë dhe këtë ta arrijmë natyrshëm, pa na ikur minutat, ç’ka mund të sillte edhe tension. Grupi është në ditët më të mira, si nga ana morale ashtu edhe nga ajo profesionale.

Ne jemi një ekip jo rastësisht në këtë shkallë të renditjes, por kemi ardhur deri këtu, për të vazhduar edhe më tutje me të njëjtën performancë. Patjetër, një pjesë të suksesit të deritanishëm e mban edhe stafi drejtues dhe teknik, që ka ditur t’i llogarisë forcat, duke ruajtur ekuilibrat dhe duke u marrë futbollistëve më të mirën e mundshme, por duke na krijuar edhe një klimë të mirë brenda grupit. Me këtë dua të them, se është një moment, ku edhe rendimenti i futbollistëve ka arritur në pikën më të lartë”, përfundon komentin e tij për “Sport Ekspres”, kapiteni Florian Peqini, një nga përforcimet më cilësore të Besëlidhjes. Edhe për ditën e premte, stërvitja ka vazhduar në stadium, ku futbollistët i janë nënshtruar veprimeve të lehta shkrythëse.

Burimi: Sport Ekspres
Back To Top