Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Jacaj bën stërvitje të diferencuar, nuk do të jetë titullar ndaj Kukësit

Për të katërtën ditë, Shkodra është bërë shtëpia e Besëlidhjes. Një urdhër i dytë e ka kthyer të parin, çka do të thotë se ndeshja e kontrollit nuk është zhvilluar në Lezhë, sikur ishte planifikuar, por sërishmi në fushën e “Lëkurasit”, në Shkodër. Ka qenë një vendim kolegjial, midis stafit teknik dhe vetë futbollistëve, që kanë marrë këtë ndërmarrje, jo pak “me konflikt interesi”, për futbollistët në dominancë shkodranë, të cilët kanë qenë edhe “partizanët” më të thekur, për ta bërë stërvitjen në fushë sintetike, të ngjashme me atë të Kukësit. Kështu për të katërtën ditë radhazi, shkodranëve Pepa, A. Dibra, Shytani, Kepi, K.Dibra dhe Jacaj, u është dhënë mundësia për të shijuar edhe ngrohtësinë familjare, por edhe mbështetjen e bashkëqytetarëve të tyre, të cilët kanë qenë jo të pakët në këto seanca stërvitore. Paraqitja e mirë e Besëlidhjes për disa vjet në kampionate, prania e një numri të madh shkodranësh në gjirin lezhianë, pse jo edhe paraqitja shumë e mirë në takimin miqësor, me ekipin e Vllaznisë këtë të shtunë, e kanë shtuar së tepërmi interesimin e shkodranëve në stërvitjen e Besëlidhjes.

Në kampin lezhjan edhe pse nuk konfirmohet mungesa e mesfushorit Jacaj, stërvitja e diferencuar flet për një mundësi më të madhe, për të qenë më së pakti në stol të rezervave, megjithëse mesfushori nuk dorëzohet dhe e shikon veten si pjesë të suksesit në Kukës. “Po, është e vërtetë që kam një tërheqje muskulare, që nga miqësorja me Vllazninë, por çdo ditë që vjen, por përmirësohem gjithnjë e më shumë. Jam stërvitur me skuadrën i diferencuar, por besoj se do të jem i gatshëm. Gjithsesi, kjo nuk i shton, apo i pakëson asgjë Besëlidhjes, jo vetëm nga mungesa ime, por edhe e kujtdo këtu. Ekipi është i përgatitur për rrugë të gjatë dhe i ka të dubluar të gjithë futbollistët, madje me të njëjtën cilësi. Do të thoja, se takimi me Kukësin ka marrë një rëndësi të veçantë, ndoshta ngaqë është mediatizuar paksa nga miqtë tanë kuksianë, që e përjetojnë për herë të parë këtë sukses dhe kam frikë se zhgënjimi do të jetë më i madh.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top