Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Java 12: Besëlidhja - Ada 1:0. Xhika, një portier goleador!

Pas një minute heshtje në nderim të shkrimtarit e politikanit Sabri Godo, ka filluar derbi verior i kategorisë mes Besëlidhjes dhe Adës. Qysh në fillim lezhjanët e kanë zhvendosur lojën në gjysmëfushën mike, në kërkim të golit, por mbrojtja velipojake është mjaft efektive, teksa shmang thuajse çdo rrezik dhe i mban larg zonës sulmuesit vendës. Përgjithësisht luhet me një portë, pasi Besëlidhja ngulmon për të shënuar, por pak për meritë të kundërshtarit dhe shumë për gabimet e sulmuesve, nuk arrin të gëzojë tifozërinë, që këtë herë ka qenë e shumtë.

Tentativa lezhjane përqendrohet vetem në goditjet nga larg, çka nuk përbën rrezik për portierin mik. Nga ana tjetër, velipojakët janë vendosur mirë në prapavijë, e qarkullojnë topin, por nuk e rrezikojnë thuajse fare Xhikën. Vetëm në të 39-ën lezhjanët  kanë mundësi të shënojnë, kur Malasi shërben për Dibrën, që godet me kokë, por topi përfundon jashtë.

Dy minuta para përfundimit të pjesës së parë, Dibra shmang dy mbrojtës dhe, para se ta godasë topin i vetëm përballë Dervishit, i ndërhyn nga prapa Arra, duke shkaktuar penallti, të cilën portieri Xhika e kthen në gol. 1-0 mbyllet pjesa e parë. Pjesa e dytë fillon me një rast të humbur nga Stojkoviç, i cili godet me kokë topin e krosuar nga Jaçaj, por jashtë.

Pastaj është Miliç që vonohet në goditje, duke i dhënë mundësi Arrës ta largojë topin. Velipojakët, pas minutës së 70-të, tentojnë të shënojnë, duke u bërë më kërkues, por pa rrezik serioz për Xhikën. Në të 72-ën Kaci godet nga larg, por Xhika reagon mirë. Dibra e Miliç janë të vetëm përballë Dervishit, por i pari preferon të godasë vetë, megjithëse shoku i tij ishte në krahun tjetër zbuluar dhe portieri mik ka pritur mrekullisht. Janë shpërdorime të pafalshme për sulmuesit vendës, një sëmundje kjo që ka javë që nuk po gjen shërim.

Duke parë se vendësit nuk kanë shansin për ta mbyllur ndeshjen, janë velipojakët që mendojnë për të marrë një pikë në Lezhë, duke u lëshuar me të gjitha forcat në gjysmëfushën lezhjane, por atje ndeshen me një mbrojtje të vendosur shumë mirë dhe me një portier tepër të saktë.

Në kërkim të golit të barazimit miqtë e lënë Dervishin të vetëm dhe Dibra dy minuta para përfundimit të lojës e kap në befasi mbrojtjen, por përsëri portieri mik i mohon golin. Besëlidhja fiton me meritë 3 pikë, por duke shpërdoruar raste të pastra dhe mbajtur me zemër të ngrirë tifozerinë, që nuk e ka kursyer mbështetjen për 90 minuta. Edhe Ada ka shfaqur vlera në lojën e saj.

Besëlidhja - Ada    1:0
Shënues: Xhika 45’ (11-metërsh)
Besëlidhja: Xhika, Kepi, Peqini, Stojkoviç, Gruda, Pepaj, Jaçaj, Malasi (K.Dibra 90’), Trajkovçc (Shyti 51’), A.Dibra, Miliç.                       Trajner: R. Kulli.
Ada: Dervishi, Arra, Isufi, Teta (Pllumbaj 62’), Ferlushkaj, Osja, Lini, Dalipi (Selmani 80’), Murati, Kaçi (Nika 85’), Puka.                    Trajner: S. Nikaj
Gjyqtarë: S. Bogdani, F. Elezi, F. Malaj (Durrës)
Kartonë të verdhë: Arra, Malasi, Miliç
Burimi: Sporti Shqiptar





Back To Top