Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Kulli: Jam i shqetësuar, por po mendoj për të premten

Ka vazhduar normalisht stërvitja në kampin lezhian. Humbja në transfertën e Kukësit edhe pse është konsideruar si e pashmangshme, përsëri ka krijuar një gjendje “shoku” në radhët e futbollistëve. Stafi lezhian është treguar tejet i vëmendshëm, duke i mbajtur larg futbollistët nga kjo situatë aspak e favorshme. Madje edhe prononcimi mediatik ka qenë i kujdesshëm. Jo pak “i ftohtë” ka qenë edhe tekniku Ridvan Kulli, duke dhënë shembullin e një profesionisti të vërtetë. Tekniku do të tregohej i kujdesshëm për gazetën, duke u shprehur: “Normalisht jam i shqetësuar, si gjithë ambjenti futbolldashës këtu në Lezhë.

Jo se nuk pranoj humbjen, se ajo është pjesë e garës dhe ne që kemi eksperiencë të gjatë, i suportojmë më me lehtësi këto situata. E kishim përgatitur takimin edhe taktikisht, por edhe psikologjikisht, duke parashikuar brenda edhe ndonjë acarim të mundshëm. Me këtë dua të them, se ka qenë një ndeshje e ngarkuar dhe tejet specifike, si për pozicionin në renditje edhe për gjendjen emocionale të ekipeve. Nuk bashkohem me vendimin e dhënies së penalltisë, si dhe ndëshkimin me karton të kuq të futbollistit tonë kryesor, kapitenit të skuadrës Peqini.

Goditja ka qenë e dyfishtë, si duke e lënë ekipin, për afro 55 minuta me një futbollist më pak, por edhe duke ndëshkuar kapitenin, që konsiderohet si negociatori i gjyqtarit me ekipin. Përsa i përket takimit, duke u goditur dyfish jemi munduar të reagojmë edhe pse futbollistët kanë qenë tejet të acaruar dhe nuk kanë mundur të ruajnë gjakftohtësinë. Gjithsesi, edhe pse ndikimi i këtyre situatave është i pashmangëshëm, unë u bëj thirrje futbollistëve të mij, tifozerisë tonë të mrekulluehme, që ka mbajtur një qëndrim tejet të duruar në Kukës, se Besëlidhja nuk është një ekip rastësor, që e mbështet suksesin tek një takim, por një ekip i strukturuar profesionalisht dhe sukseset janë çështje kohe.

Po punojmë që të përgatitemi për takimin e radhës, duke i dhënë rëndësinë e duhur. Përsa i përket apelimit të këtij takimi, me këtë merret stafi drejtues dhe besoj se duke vëzhguar filmimet, drejtësia do të na japë të drejtë”, do të përfundonte trajneri Kulli, i cili ka dashur që t’i mbajë sa më larg futbollistët nga prononcimet mediatike. Në javën e parafundit, lezhianët do të presin një tjetër ekip fqinj, sikurse është ai i Mamurrasit.

Burimi: Sport Ekspres
Back To Top