Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Kulli “dush të ftohtë” sulmuesve

Lezhianët kanë pushuar këtë të hënë, për të rifilluar dje stërvitjen, për një ndër takimet më të rëndësishme të kësaj jave. Rezultatet pozitive të dy ekipeve si dhe rivaliteti në tabelën e klasifikimit, e bëjnë këtë sfidë si më të fortën e javës së 13-të të Kategorisë së Parë. Padyshim këtë e forcon më tej edhe fitorja në transfertë e ekipit të Kukësit në Skrapar, çka i ka shtuar "oreksin" kuksianëve, për të besuar në një ngjitje një kategori më sipër. Prononcimet e trajnerit Kulli mbas takimit, flasin për një pakënaqësi të tij për rastet e humbura. Analiza e sotme do të jetë prologu i një jave, që duhet të korrigjojë defektet e vërejtura, jo vetëm për takimin e fundit, por në përgjithësi të këtyre javëve që kanë kaluar.

Tekniku do t’i qëndronte pa ndryshuar, asaj që do të thoshte mbas takimit me Adën. “Fitorja është fitore dhe nuk gjykohet, vetëm festohet. Por ne po mendojmë, që fitoret të jenë më bindëse, pse jo t’i përgjigjen lojës që ne zhvllojmë. Është kjo arsyeja, që kam rezerva për repartin sulmues edhe pse si futbollistë janë të talentuar. E bëjmë mirë lojën deri në momentin e shënimit dhe atëherë kur kërkohet përqendrim më i madh, aty edhe na mungon agresiviteti që kërkon shënimi i golit. Është finalizimi që na ndëshkon, prandaj duhet të reagojmë për ta riparuar këtë.

Me këtë nuk dua të them, se Ada ishte një ekip i dobët dhe mund t’i mundje me goleadë. Jo, përballë kemi patur një ekip të organizuar shumë mirë, që në disa raste na e ndërlikoi situatën. Gjithsesi, këto janë kritika që i shërbejnë përmirësimit të vazhdueshëm. Kemi zhvilluar 13 javë, që me ndonjë përjashtim e kemi arritur objektivin, por sukseset duhet të na shërbejnë, për të vazhduar ecurinë e mëtejshme. Përpara kemi një transfertë fqinjësh, që i kanë shtuar ambicjet e tyre edhe nga rezultatet që kanë arritur, si dhe që janë formatuar nga një merkato cilësore. Mendoj se duke parë situatën në kampin tonë, por edhe në atë kundërshtar, forcat janë të balancuara.

Por jashtë nga modestia, futbollistët e mi, një nga një, janë dukshëm me kualitativ. Është harmonizimi në grup, që jep rezultatin dhe kjo na ka funksionuar. Do jetë një takim rivalësh, që ne do ta përgatisim me kujdes. Rëndësi ka, që skuadra jonë ka ardhur duke e rritur lojën edhe pse rezultatet nuk i janë përputhur. Le të shpresojmë se do të kemi një takim “fair play” dhe fituesi do të respektohet”, ka përfunduar tekniku lezhian, Ridvan Kulli.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top