Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Presidenca kuksiane: Akuzat e Nokës, dëshpëruese dhe të pabaza!

Drejtuesit kuksianë sqarojnë se në ndeshja me Besëlidhjen ishte mjaft korrekte dhe nuk pati dhunë Presidenca, drejtuesit e klubit dhe stafi teknik kuksian i kanë cilësuar të pavërteta, të pabazuara në fakte, emocionale dhe dëshpëruese nga humbja akuzat e presidentit të Besëlidhjes, Gjokë Noka, për trukim të ndeshjes Kukësi-Besëlidhja. Ata hedhin poshtë gjithashtu akuzat e presidentit Noka për dhunë ndaj ekipit lezhjan, që, sipas tij, është ushtruar nga zyrtarë vendorë, madje edhe deputetë.

Këto akuza të presidentit lezhjan, sipas drejtuesve të Kukësit, nuk e zbehin aspak fitoren bindëse të së shtunës. ”Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Kjo ishte fitoja e 5-të radhazi. Ndeshjen me Besëlidhjen tifozët kuksianë kishin kohë që e prisnin dhe ne ishim përgatitur dhe motivuar për fitore, që për fat e arritëm. Humbja mund të jetë dëshpëruese për lezhjanët, pasi ata kanë zbritur nga vendi i dytë, por kështu e ka futbolli. Por dëshpërimi nga humbja nuk duhet të kalojë në akuza dhe shpifje.”

Ky është qëndrimi i presidencës kolegjiale të Kukësit, e kryesuar nga Ramë Geci. Për gjykimin, drejtori teknik i Kukësit, Sabri Balla, sqaron se treshja që gjykoi ishte e treta, pasi lezhjanët kishin refuzuar dy palë gjyqtarë të caktuar nga FSHF-ja. Megjithatë, sipas tij, gjykimi ka qenë korrekt dhe për këtë janë në dispozicion pamje filmike.

Po ashtu, ai pohon se korrekt ka qenë edhe veprimi i tifozëve të dy ekipeve dhe punonjësve të policisë, që kishin marrë masa për të mos ndodhur asnjë incident. “Akuza të tilla nuk i zbehin aspak rezultatet e Kukësit dhe ne tani mendojmë për kryendeshjen e javës tjetër në Gjirokastër, me Luftëtarin kryesues,” – u shpreh Balla.
Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top