Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Melo i jep besën ultrasve se do të japë gjithçka për të fituar Besëlidhja

Edhe pse shtyrja e kampionatit nuk ka qenë i nevojshëm për ekipin lezhjan, përsëri kjo i ka dhënë mundësinë teknikut Kulli për të përmirësuar sadopak nga përgatitja e takimit të së shtunës, me ekipin që e ndjek në tabelë me vetëm 1 pikë diferencë, Kukësin. Kështu, rikuperimi i Dibrës, si dhe takimi miqësor me ekipin e Vllaznisë, kanë qenë "bonuse" për të parë gjendjen e ekipit në prag të këtij takimi kaq të rëndësishëm. Si pak herë në këto javë të këtij kampionati, ekipi lezhjan do të ketë të gjithë kontigjentin të gatshëm, ku në këtë gadishmëri nuk përjashtohet as ajo e mesfushorit Vojisllav Trajkoviç apo sikurse njihet në ambientet sportive të Lezhës me emrin e shqiptarizuar Melo.

Trajkoviç, ndryshe nga patriotët e vet, nuk e ka “tradhëtuar” Lezhën, edhe kur ka patur shkëputje të tjera të kampionatit apo kur ka qenë i dëmtuar ose ndëshkuar me karton, duke vazhduar stërvitjen me grupin apo individualisht. Edhe për këtë sfidë të radhës, Melo është bashkuar me fansat “ultras”, duke u dhënë atyre besën se do të japë gjithçka për të fituar Besëlidhja. "Është një moment kur, “vëllai” i vogël kërkon të kalojë atë të madhin, pa “respektuar” moshën, apo kontributin e tij. Kështu është edhe rasti i ekipit të Kukësit, i cili kërkon t’i dalë përpara Besëlidhjes. Besëlidhja ka vite që e ka krijuar këtë autoritet, si me përfaqësimet në kategoritë e larta, por më shumë akoma me përfaqësimet dinjitoze në këto vitet e fundit. Gjithsesi, duke respektuar ekipin debutues për këtë ecuri pozitive, unë mendoj se edhe ngjitja me shpejtësi kërkon bazament të fortë që të jetë e qëndrueshme. Dhe ekipi ynë e ka krijuar këtë bazament”.

Duke iu “afruar” ndeshjers, serbi ka vijuar: “Ajo që ka më shumë rëndësi është që të zhvilohet një lojë korrekte, edhe pse kam një siguri që do ta kalojmë me sukses. Besoj se do të jetë një takim ku ne do të shkarkojmë të gjitha mundësitë tona, dhe nëse ndodh kështu, suksesi është i garantuar", do të përfundonte mesfushori i krahut të djathtë, Vojisllav Trajkoviç. Mesfushori, së bashku me patriotët e tjerë, Miliç dhe Gavriloviç, janë përforcime të këtij fillimsezoni, mbasi këtë eksperiencë do ta niste një sezon më herët bashkëpatrioti i tyre, Aleksandër Stojkoviç.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top