Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Afrohet Përfati, në provë edhe dy shkodranë

Drejtuesit e Besëlidhjes janë në tratativa me futbollistin Bledar Përfati, ndërsa kontrata me serbin Milan Gjorgjeviç është drejt zyrtarizimit. Në seancën e djeshme stërvitore janë parë edhe disa futbollist shkodranë, të cilët po stërviten me Besëlidhjen, ndoshta me shpresën se mund të bëhen pjesë e klubit. Lezhjanët si një ndër pretendentët kryesorë për t’u ngjitur në Superiore, kërkojnë ta shfrytëzojnë të gjithë kohën e lejueshme të merkatos për të blerë futbollistë. Me sa duket është e vështirë për të vendosur se cili do të rrijë në stol nga futbollistët e ekipit bazë që mbyllën fazën e parë.

Nga Besëlidhja, deri tani janë larguar tre lojtarë, Buraku dhe Shyti që kanë lidhur kontratë me klubin matjan, si dhe Renis Mehja, i cili me sa duket do të luajë në Tiranë. Gjatë fazës së parë, Besëlidhja i ka grumbulluar të gjitha pikët e mundshme pa pësuar gol në shtëpi, por ka lënë shumë pikë në transfertë dhe për më tepër as një nga sulmuesit apo mesfushorët nuk ka bërë diferencë si goleador. Deri tani sulmuesi serb, Aleksandër Miliç, ka shënuar tre gola. Sektori më i kritikuar gjatë fazës së parë ka qenë mesfusha, e cila është fajësuar edhe nga sulmuesit, të cilët janë ankuar se dhe kur kanë shënuar, është dashur që ta nisin aksionin nga gjysmëfusha e tyre.

Drejtuesit e Besëlidhjes duke parë dobësinë e mesfushës, kanë synuar ta forcojnë duke sjellë në Lezhë dy mesfushorë me emër, Albert Kaçin dhe Milan Gjorgjeviç dhe kjo e ka rritur konkurrencën gjatë seancave stërvitore për të fituar duelin mes stolit dhe formacionit bazë. Numri një i pankinës lezhjane, Ritvan Kulli, deri tani në komunikim me shtypin ka qëndruar pasiv dhe këtë thotë se e kompenson me të qenit aktiv në fushën e stërvitjes për të projektuar formacionin me të cilin mendon të ngjitet në Superiore.
Burimi: Panorama Sport
Back To Top