Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja, “e parë” nga Shkodra

Ka ngritur siparin stërvitja në kampin lezhjan. Nën drejtimin e trajnerit Kulli, si dhe në vëzhgimin kurreshtar të një numri të konsiderueshëm tifozësh, ka nisur kjo stërvitje të cilës i kanë munguar emrat e rinj. Ajo që ka rënë në sy, sikur edhe pritej, ka qenë mungesa e futbollistëve serbë, si dhe e disa futbollistëve të tjerë vendas. Kështu, këtë të hënë, grupi është populluar nga futbollistë të moshave U-19. Edhe prania e jabanxhinjve shkodranë ka qenë e plotë, ku sulmuesi Arenc Dibra ka udhëhequr skuadrën edhe në këtë seancë stërvitore me performancën e tij golashënuese. Sulmuesi do të tregohej tejet optimist për vazhdimin e mëtejshëm të garës, duke u shprehur:

“Edhe pse nuk jemi të kënaqur deri tani me pikët, ky është një vlerësim i brendshëm duke njohur mundësitë tona, por jo se nuk është sukses. Ne jemi brenda objektivave dhe të gjitha gjasat flasin për për një trend pozitiv. Ekipi ka ardhur në ngjitje përsa i përket performancës së lojës dhe kjo na jep sigurinë se edhe rezultatet nuk do të mungojnë. Ndoshta mund të jetë reparti ynë i sulmit më i kritikueshmi, sepse nuk i është përgjigjur pjesës tjetër të ekipit, por edhe për ne do të vijnë “ditët e mira”. Tani kemi kohë të korrigjojmë edhe me ndonjë prurje që përflitet.

Do të konsolidohemi në këtë repart për t’ju bashkuar pjesës tjetër të suksesit”. Dhe si ta ketë marrë malli për fushën, Dibra i “kapërcen” ditët: “Përpara kemi një transfertë në Himarë, që duhet t’i bëjmë shërbimet vetëm për fitore. Ndoshta do të shfrytëzojmë edhe amullinë që ka kapur ekipin debutues, por kjo nuk do të thotë se do të nisemi nga kjo dobësi e kundërshtarit për të kërkuar fitoren. Ajo që ka rëndësi është që të luajmë lojën tonë dhe suksesin do ta kemi me vete”, do të përfundonte sulmuesi shkodran i Besëlidhjes, i cili është afruar pranë ekipit në fillim të këtij sezoni si një ndër përforcimet më kualitative në ekip.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top