Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja, një emër që nuk ka lidhje me pesimizmin

Sot do të jetë dita e parë për stërvitjen zyrtare të ekipit të Besëlidhjes. Edhe pse seancat kanë ditë që ka nisur, gjthçka ka qenë e karakterit fakultativ, si përsa i përket pjesëmarrjes, ashtu edhe veprimeve të stërvitjes. Trajneri Kulli do ta ketë të plotë grupin, përpos futbollistëve serbë, ku leja e tyre ndoshta do të vazhdojë edhe për këtë javë që po nisim. Kurioziteti për ndonjë prurje të re, që përflitet në ambientet sportive, e bën sot këtë seancë, që të ketë një interesim më të madh nga ajo e zakonshmja.

Po sot, i gatshëm do të jetë edhe qendërmbrojtësi Florian Peqini, i cili do të lërë stërvitjen individuale nga kodrat e Liqenit Artificial, për t’u integruar me grupin. Tiranasi i mbrojtjes është një nga pikat më të forta në ekipin lezhjanë dhe paraqitja e tij ka bërë, që të “rrëmbejë” edhe shiritin e kapitenit të skuadrës. Ecurinë e ekipit të Besëlidhjes ai do ta vlerësonte pozitive, për sa i përket lojës dhe paraqitjes në lojë, por jo të tillë gjendjen e pikëve në tabelën e klasifikimit. “Ka qenë një fazë, që nuk e nisëm mirë me atë humbje skandaloze në Skrapar, por ndoshta edhe grupi atëherë nuk ishte konsoliduar, në kuptimin e njohjes së lojës së futbollistëve.

Gradualisht, bashkë me lojën erdhën edhe rezultatet. Nëse nuk i kemi diskutuar pikët me ekipet pretendente, nuk ka ndodhur kështu me ekipet e lehta dhe pikërisht nga këto skuadra jemi ndëshkuar. Ndërsa për takimin e Kukësit, nuk besoj se ka qenë faji ynë. Ka qenë një gjykim skandaloz, që nga kartoni im i kuq, deri tek penalltia dhe plot raste të tjera. Por këto i shërbejnë të kaluarës dhe rëndësi ka që ne të vazhdojmë ecurinë, duke e përmirësuar atë. Përsa i përket merkatos mendoj, se në repartin e mbrojtjes nuk bëhet fjalë për ndërhyrje dhe nëse na ka çaluar ndonjë hallkë është reparti sulmues, që arsyet dihen tashmë; dëmtimet dhe kartonat kanë qenë një “bumerang” për atë repart, por edhe për ekipin.

Ne jemi të pozicionuar në vendin e katërt, por kjo nuk na shqetëson, pasi tani kalendari flet në favorin tonë për këtë fazë. Këto avantazhe do t’i shfrytëzojmë në maksimum, për të arritur deri në krye të tabelës. Duke parë zhvillimet e deritanishme, avantazhet e kualitetit të ekipit tonë janë ato që na bëjnë të besojmë tek arritja e objektivit. Aq më tepër, që ekipi ynë e ka plotësuar "stazhin" në këtë kategori dhe tashmë është koha që ne të jemi superiorë.

Nuk jemi ekip “fije kashte”, por një ekip me lojtarë të pjekur, që kanë të gjithë “CV”, për të qenë futbollistë të Kategorisë Superiore. Edhe infrastruktura dhe trajtimi është bashkëkohorë, jo sikur dëgjojmë nga ekipe që kanë futbollistët që nuk marrin rrogën nga 3 muaj. Tek ne, këto probleme nuk ekzistojnë dhe për të gjitha këto meritojmë që të jemi elitë. Bëni durim për të parë përfundimin”, përfundon kapiteni, që është graduar vetëm tre ndeshjet e fundit të fazës së parë.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top