Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja, pas Kaçit firmos edhe Ardian Beqiri


Ardian Beqiri është goditja e dytë që bëjnë drejtuesit e Besëlidhjes, pas afrimit të një ditë më parë të Albert Kaçit. Mesfushori, i cili fazën e parë ka qenë pjesë e Kamzës, ka arritur akordin me lezhjanët. Numri një i presidencës lezhjane, Gjok Noka, po e mban fjalën duke sjellë në ekip prurje cilësore. Ndërkaq mesfushori, i cili u zyrtarizua një ditë më parë te Besëlidhja, Albert Kaçi, në një prononcim për “Panorama Sport” u shpreh: “E pranova me kënaqësi ofertën për të veshur fanellën e Besëlidhjes.

Lezhjanët jo rastësisht e mbyllën fazën e parë në vend të katërt, një pozicion jo shumë i kënaqshëm si shkallë renditjeje, por duke pasur parasysh se jemi me pikë të barabarta me Lushnjën e vendit të tretë dhe veç një pikë larg Kukësit të vendit të dytë, i kemi të gjitha mundësitë që të rikuperojmë në fazën e dytë. Këtu në Lezhë, që ditën e parë kam gjetur një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, ndërkohë që edhe kushtet janë të kënaqshme. Marrëdhëniet me stafin drejtues i kam shumë të mira dhe besoj se për ditë dhe më shumë do të forcohen. Besëlidhja si pretendente kryesore për në Superiore, fazën e dytë do të grumbullojë më shumë pikë se në të parën.

Kështu që duhen eliminuar në maksimum gabimet e vërejtura gjatë ndeshjeve të fazës së parë, por dhe përforcimin e atyre pikave, ku kanë çaluar më shumë gjatë kësaj faze, me elementët cilësorë që po sjellin në Lezhë. Jam i bindur se Besëlidhja kampionatin e ardhshëm do të jetë pjesë e Superiores, jo se do të jem unë ai që do të bëjë mrekullinë, por kjo do të vijë nga loja dhe potenciali taktik e teknik që Besëlidhja ka në organikë”, – ka përfunduar mesfushori shkodran i ardhur ditët e fundit te Besëlidhja.

Stërvitja - Besëlidhja si një nga pretendentet kryesore për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore po vijon stërvitjet me ngarkesë të plotë në fushën e stadiumit “Besëlidhja”, nën drejtimin e trajnerit Ritvan Kulli. Ndërkohë që nesër drejtuesit e lezhjanë kanë planifikuar një ndeshje kontrolli me rezervat dhe prurjet e mundshme, gjatë së cilës shpresohet që ata të jenë të gatshëm.
Burimi: Panorama Sport 
Back To Top